E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jashari: Historia e popullit tonë është shkruar me gjak

Nga Express më 10 mars 2011 në ora 21:44

Sa herë që përmendet UÇK-ja, mendja dhe zemra ndërlidhet me komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen e tij, e cila u bë shembull unik i mbarë njerëzimit se si duhet dashur atdheu, u tha në një mbrëmje të organizuar në 13-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Në këtë mbrëmje të organizuar në Nju Jork nga ish-veprimtarë të Fondit “Vendlindja thërret” dhe disa organizatave tjera të komunitetit shqiptaro- amerikan, morën pjesë shumë bashkatdhetarë.

Shefki Mexhani, ish-drejtor i Fondit “Vendlindja thërret” për Amerikë dhe Kanada, ka thënë se shqiptarët e Amerikës mburren që patën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila i doli përball Serbisë për të ndaluar terrorin e paparë ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

“Me këtë rast shprehim falënderime tona për të gjithë ata që kontribuuan në fondin “Vendlindja thërret” për të ndihmuar luftën çlirimtare. Flijimi i legjendarit dhe familjes së tij zëvendësoi vajtimin me krenarinë dhe kushtrimin për të luftuar kundër okupatorit sllav. Të ishe me UÇK-në nuk ishte sakrificë, por ishte një privilegj që po mundemi t’i shërbejmë atdheut tonë në luftë për liri. Këtë gjë e bëri “Vendlindja thërret” këtu në SHBA, duke ndihmuar financiarisht pandërprerë dhe duke organizuar batalionin “Atlantiku” për t’i dalë direkt në përkrahje Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Konsulli i Kosovës në Nju Jork, Arta Rama, ka thënë se pavarësisht progresit të arritur deri më tash nevojitet dhe shumë punë për t’u bërë, në mënyrë që Kosova të jetë ashtu sikur e deshën Adem Jashari dhe familjet e dëshmorëve.

“Kosova deri më tash ka shënuar të arritura dhe progres që vlen të përmendet, mirëpo ende ka mbetur shumë të bëhet për të ndërtuar shtetin e përkryer që do të donte shihte komandanti legjendar Adem Jashari, familja Jashari dhe familjarët e gjithë dëshmorëve”, ka theksuar Rama.

Gani Shehu, ish-shef i shtabit të operacionit “Shigjeta” : Jemi tubuar që të përkujtojmë një datë të rëndësishme që 13 vite më parë ndodhi në Prekazin Legjendar.

“Ishte 5, 6 e 7 Marsi i një pranvere të papërsëritshme, ku pas një lufte deri në pikën e fundit të gjakut familja e madhe Jashari e Prekazit iu dha kushtrimin përgjithmonë të gjithë shqiptarëve me zërin buçitës që ishte dëgjuar ndonjëherë. Pas qëndresës së rrallë përball një ushtrie dhe policie kriminele ata ranë pranë vatrës së vet, duke rënë përgjithmonë për dritën e madhe të lirisë, të cilën po e gëzon populli shqiptar në Kosovë”, ka thënë Shehu.

Naim Balidemaj, korrespodenti i KosovaPress-it gjatë luftës në Kosovë, ka thënë se familja Jashari dhe komandanti legjendar Adem Jashari janë shndërruar në një simbol të përjetësisë dhe epope e ndërgjegjes mbarëkombëtare.

“Sa herë që përmendet UÇK-ja, mendja dhe zemra ndërlidhet menjëherë me komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen Jashari. Familja Jashari theu të gjithë kufijtë konvencional duke u bërë shembull unik i mbarë njerëzimit, se si duhet dashur dhe mbajtur atdheu. Tri gjenerata në këmbë, të vetëdijshme për sakrificën e quajtur liri, me armë në duar kundër një okupatori të egër dhe barbar, burra e gra, pleq e fëmijë, me vetëflijim dhe vetësakrificë e materializuan në vepër sloganin e njohur të pavarësisë së Shqipërisë ja vdekje, ja liri”, është shprehur ai.

Murat Jashari, përfaqësuesi i familjes Jashari, ka thënë se ka nderin që gjendet në mesin e të gjithë atyre luftëtarëve që kur Kosovës i duheshin më së shumti u nisën nga ky vend për të çliruar Kosovën nga okupimi serb.

“Jam më se i nderuar që të përshëndes edhe nënën e dëshmorit dhe në emër të saj të përshëndes të gjitha nënat e dëshmorëve që rritën dhe edukuan djem dhe vajza për t’i dalë në krye shtetit, jo pse ata urrenin popuj tjerë, por pse ishin patriotë që e donë atdheun dhe vendin e tyre. Çdo popull në botë ka historinë e vet, me sakrifica prej më të ndryshme, por historia jonë shumëshekullore është larë aq shumë në gjak sa që është shkruar po nga ai gjak. Urojmë që tash e tutje të gjithë shqiptarët kudo që janë, duke përfshirë edhe diplomatët tanë në gjithë botën, që të bëjnë një lidhje duke u bazuar në të kaluarën dhe vizionin për të ardhmen”, ka thënë Jashari.

Me një fjalë rasti të pranishmëve iu është drejtuar edhe konsulli i Shqipërisë në Nju Jork, Dritan Mishto, i cili është shprehur i nderuar që merr pjesë në këtë mbrëmje për të nderuar veprën e Adem Jasharit dhe luftën e lavdishme të UÇK-së./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›