E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ëndërron Serinë A

Samir Ujkani po shkëlqen në Serie B italiane me Novaran. Mirëpo, portieri kosovar ëndërron që në një të ardhme të afërt të luajë në Serie A, qoftë me Palermon apo me Novaran. Veç disa futbollistëve shqiptarë që luajnë me sukses në Itali, 22 vjeçari mendon se në elitën e futbollit italian mund të luajnë pa problem edhe Cana, Curri e Vangjeli. Nga Express më 10 mars 2011 në ora 10:03

Novara po shkëlqen në Serie B italiane dhe njëri prej lojtarëve kryesorë të saj është portieri kosovar, Samir Ujkani. Vushtrriasi ka pasur 23 paraqitje të shkëlqyeshme këtë sezon me ekipin e Attilio Tesser.

Mirëpo, 22 vjeçari zbulon se ëndërr e tij është Serie A, qoftë me ekipin aktual Novara apo me ekipin i cili e mban kartonin e tij, Palermo.

“Jam duke e shijuar një ëndërr këtu në Novara, por është vetëm një rrugëtim, sepse unë kam dëshirë të shkoj më lart, pra të luaj sa më shpejt në Serie A”, ka thënë ish portieri i Anderlechtit për ueb faqen italiane itasportpress.it.

Ujkani e ka pranuar se ia kalon mirë në Novara, klub ky që e ka ngritur në famë, por ai e pranon se do të dëshironte të kthehej në Palermo, të cilin e konsideron klub të madh.

“Ta vesh fanellën Rosanero do të ishte e arritur e madhe për mua, sepse Palermo është prapa katër klubeve më të mira italiane. Të jem i sinqertë, nëse Novara do të hynte në Serie A, do të dëshiroja të qëndroj këtu për një zhvillim gradual pa presione të mëdha”, vazhdoi ai.

Në futbollin italian luajnë me sukses disa futbollistë shqiptarë, si: Bogdani, Behrami, Xhemajli, Kasami etj. Mediat italiane shkruajnë se Lazio ia ka mësyrë Lorik Canës së Galatasarayt.

Me këtë rast, Ujkani i tregon disa emra të futbollistëve shqiptarë, të cilët do të ishin të gatshëm të luajnë qysh tash në elitën e futbollit italian.

“Cana është lojtar i madh, ka eksperiencë dhe e meriton një skuadër të fortë. Është edhe Debatik Curri, një qendër mbrojtës i sigurt 28 vjeç. Por, i gatshëm për Serie A është edhe Kristi Vangjeli, i cili është një mbrojtës i majtë mjaft i suksesshëm”, thotë ai.

Ujkani konsiderohet si njëri prej portierëve më të mirë të huaj në Itali. Portieri i Kombëtares shqiptare ndihet mirë kur puna e tij vlerësohet, ndërsa për këtë falënderon drejtorin sportiv të Novaras, Pasquale Sensibile, kolegun e skuadrës Alberto “Jimmy” Fontana, trajnerin e portierëve Leonardo Cortiula dhe trajnerin Attilio Tesser, të cilët u besojnë cilësive të tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›