Ushtarakët në protesta, por jo në emergjenca
Kujtim Çako
Pas 20 vitesh, çdo ushtarak ngushëllohet sot me faktin se pas gjithë kësaj heshtjeje, politika ka ngritur zërin për të drejtat që i takojnë kësaj shtrese. Ngushëllohemi, jo se është ofruar ndonjë zgjidhje e pranueshme nga mazhoranca, apo është shtruar për diskutim ndonjë platformë për zgjidhje nga partitë në opozitë që nesër do të jenë në pushtet, por, për faktin se të dyja palët po e pranojnë mohimin e të drejtës së fituar gjatë gjithë këtyre dy dekadave.
Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë, në emër të të gjithë anëtarëve të saj, të 16 shoqatave, që nga krijimi i saj, më shumë se një vit më parë, ka luftuar që të jetë garanti i interesave ligjore dhe kushtetuese të ushtarakëve, është përpjekur për të institucionalizuar çështjen tek të gjitha institucionet, brenda dhe jashtë vendit, si dhe iu ka ofruar bashkëpunimin të gjitha partive politike për të shtruar për zgjidhje problemet dhe padrejtësitë që na janë bërë. Kjo gjë është bërë dhe do të bëhet, së pari, duke respektuar detyrimet kushtetuese dhe ligjore që kanë të bëjnë me veprimtaritë e shoqatave dhe së dyti, për të ndërtuar raporte interesash të ndërsjellta me të gjithë partnerët, partitë politike dhe institucionet. Fatkeqësisht, të gjitha mazhorancat dhe qeveritë e deritanishme, përfshirë edhe këtë të fundit, kanë dhënë shembullin më të keq të trajtimit të ushtarakut, të simbolit të sigurisë dhe sakrificës, duke u përpjekur që ta marxhinalizojnë këtë shtresë, ta trajtojnë si kategori të vobektë sociale, që ka nevojë vetëm për një kafshatë. Pushteti i radhës ka dashur që të rëndojë më shumë gjendjen sociale të ushtarakëve, duke i kthyer ata në “ish”, dhe duke i ndëshkuar siç u ndëshkuan ish-pronarët dhe ish të përndjekurit. Por, ajo që mbetet më e rënda, që është edhe sëmundja e gjithë këtyre viteve të tranzicionit, ka të bëjë me faktin se të gjitha ligjet e miratuara, përfshirë edhe ligjet me shumicë të cilësuara (siç janë dy statutet e ushtarakut) nuk janë respektuar asnjëherë.
Pjesë e kësaj sjellje anti-ligjore janë edhe hapat ligjorë që ka ndërmarrë qeveria vitin e fundit. Vendimet dhe Akti Normativ për trajtimin e ish-ushtarakëve janë tallja e radhës që nuk tolerohet në një shtet anëtar të NATO-s dhe të OSBE-së.
Reagimi, së fundi, i opozitës dhe qëndrimi kundër është për tu vlerësuar dhe ka falënderimin e të gjithë anëtarëve të rrjetit të shoqatave tona. Edhe ftesa për të protestuar është një kërkesë e ligjshme dhe një mjet demokratik që vlerësohet dhe shqyrtohetme seriozitet.
Mirpo, çdo protestë ka kohën dhe vendin e saj. Jo çdo protestë mund t’i shërbejë qëllimit, e aq më tepër, kur ajo prek pozitat kushtetuese dhe ligjore të aktivitetit të një organizate, siçështjë kjo e jona, apo të EUROMIL-it, organizatës evropiane të shoqatave të ushtarakëve ku ne aderojmë. Ftesa më e fundit për të dalë në rrugë, nuk vjen natyrshëm nga radhët tona, nuk ka një vendim kolegjial të organizatave tona. Fatkeqësisht, konstatojmë se organizata të sajuara për momentin, apo struktura të tjera kërkojnë të caktojnë agjendën e ushtarakëve, e cila nuk përbën ndonjë gjë të re. Por, ne mendojmë se momenti i zgjidhur, për të dalë në protesta, është i pagjetur; kjo, kryesisht për faktin se shumë zona të vendit ndodhen në emergjencë civile. Me këtë rast, dua të përcjell, në emrin e të gjithë anëtarësisë tonë, solidarizimin me të gjithë ato familje që ndodhen nën ujë dhe në acarin e këtyre ditëve. Ne jemi gati të kontribuojmë, jo vetëm financiarisht, por edhe me ekspertë, ish-xhenierë, që janë të aftë të japin ndihmesë për minimizimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.
Shumë prej jush, përfshirë edhe anëtarët e AKUSH-it, mund të pyesin me të drejtë: Si të veprojmë me Aktin Normativ? Çfarë rrugësh duhen ndjekur? Çfarë duhet bërë për ta bllokuar? Këtu ka shumë përgjigje, por, zgjidhja e momentit nuk vjen nga rruga. Së pari, do të kishte qenë e udhës që vetë qeveria dhe mazhoranca ta shtyjnë miratimin e Aktit Normativ; madje, ta anulojnë dhe të përgatisin një ligj të ri, ku të përfshihemi edhe ne, si grupe interesi, në procesin e konsultimit.
Por, nëse protestat para Kuvendit do ta bllokojnë Aktin Normativ dhe do ti hapet rruga ndryshimeve ligjore që garantojnë të drejtat e fituara të ushtarakëve, që nesër, të paktën 5000 anëtarët tanë, dhe mijëra pjesëtarë të familjeve tona do të jenë në shesh. Prandaj, jo vetëm deputetët e PS-së, por edhe ata të LSI-së, ( e cila ka pasur një program elektoral të qartë për zgjidhjen e problemeve të ushtarakëve), PDU-së apo ndonjë deputet i pavarur le të bëhen pjesë e bllokimit të një votimi antiligjor dhe antikushtetues. Dita e sotme tregon se sa dhe si e përdorin institucionet dhe të zgjedhurit nga populli ligjin në shërbim ose në shkelje të të drejtave të qytetarëve të këtij vendi.
Por, përveç protestave, ka edhe rrugë të tjera. Akti i miratuar nga qeveria do të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese. Në mos atje, në Strasburg. Në këtë betejë dhe në betejat e tjera ligjore, tashmë nuk jemi vetëm, pasi kemi edhe mbështetje ndërkombëtare. Dhe këtë do ta bëjmë sepse e drejta është me ne. Nga politika dhe institucionet ne kërkojmë thjeshtë respektimin e ligjit.
Kjo që po themi nuk përjashton protestat në një të ardhme të afërt apo të largët; por kjo kërkon një diskutim dhe një parashtrim të problemeve; një njohje të problematikës tonë nga partnerët apo mbështetësit tanë; qofshin këto edhe partitë politike, një koordim të veprimeve për të garantuar të drejtat ligjore që iu përkasin ushtarakëve dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Në këtë proces janë të ftuar të gjithë, dhe Aleanca është e hapur për të bashkëpunuar me të gjithë. Protesta nuk ka në emergjencë dhe nuk ka veprime emergjente në trajtimin e problemeve që shqetësojnë qytetarët e këtij vendi; ka zgjidhje emergjente, në zbatim të ligjit dhe të Kushtetutës së këti vendi.
15 Dhjetor 2010