E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasano trondit Interin

Kur topi nisi të rrotullohej në “San Siro”, shqetësimi më i madh nuk ishte krijimi i ndonjë problemi të ri, por fitorja ndaj Peskarës.
Megjithatë, në momentin kur u shënua goli i dytë, kur publiku zikaltër nisi të qetësohej përfundimisht, nuk mund të mos binte në sy fakti se Antonio Kasano sikur nuk u hodh përpjetë nga gëzimi. Thjesht hapi krahët si i luhatur mes dy ndjenjave.
E nëse në tribunë presidenti Morati gëzohej e duartrokiste me pamjen e një fëmije të madh e të lumtur, dalë nga dalë tek Interi po afrohej një çështje tjetër, ndoshta jo aq e madhe sa ajo e Uesli Snajderin.
Trajneri Andrea Stramaçoni po mendonte të bënte lëvizjen e tij të radhës. Kasano luftonte në fushë, përpiqej të krijonte një gol të tretë, por edhe gabonte e kërkonte falje.
Në një moment, Strama vendosi. Puljezi duhej të dilte nga fusha dhe, ndërsa kjo realizohej, trajneri roman nuk kishte llogaritur reagimin.
Antonio u ngrys e u nxeh dhe refuzoi të ulej në stol. Kamera nuk e kapi që në fillim, duke dhënë të përsëritur një aksion të tij të mëparshëm, por pati mundësi të na tregonte sesi u fut në dhomat e zhveshjes.
Interi fitoi dhe ringjalli shpresat për titull, ndërsa Stramaçoni deklaroi se nuk do të sqarojë asgjë me Kasanon. Ndoshta kjo ka qenë vetëm një kapriço dhe të dyja palët do të vazhdojnë të luftojnë krah për krah.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›