Viti 2012 sukses ne reformat per Forcat e Armatosura

Gjatë vitit 2012 u arrit objektivi i standardizimit të ushtrisë shqiptare, proces i cili u nis që në vitin 2010. Ky konstatim erdhi nga vetë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë analizës së punës së bërë në këtë dikaster vitin e shkuar.
Në vlerësimin e ministrit Imami viti që lamë pas ishte shumë i suksesshëm për Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
“Viti 2012 ishte përcaktues për implementimin e reformave 4-vjeçare pas anëtarësimit në NATO, reforma të cilat do të përmbyllen me sukses. Objektivi ynë ishte që 2013-ën të kishim një ushtri eficente, profesioniste dhe të standartizuar” u shpreh ministri Imami.
Sipas ministrit nga viti 2009 deri në dhjetor të vitit 2012 janë asgjësuar rreth 80 mijë tonë municione të tepërta ndërsa mbeten ende për tu asgjësuar edhe 20 mijë tonë municione të tjera.
“Gjatë vitit 2012, Forcat e Armatosura regjistruan arritje të mëdha veçanërisht në fushën e planëzimit dhe integrimit. Më konkretisht, në standardizimin e kapaciteteve dhe metodave planëzuese në përputhje me standardet e Aleancës. Por gjithashtu ka vijuar implementimi dhe realizimi me sukses edhe i projekteve të tjera që ishin në vijim, veçanërisht projektet modernizuese si helikopterët dhe anijet, projekti i demilitarizimit të municioneve të tepërta, stërvitja operacionet brenda dhe jashtë vendit etj. Do të vijojë reforma ligjore dhe në fokus do të jetë implementimi i dokumenteve të hartuara vitin e kaluar në fushën e menaxhimit të personelit, duke e bërë përfundimisht karrierën e ushtarakut të parashikueshme. Në vitin 2013 Shqipëria do të ketë përfundimisht një ushtri perëndimore”, vlerësoi Imami.