E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasat fiskale, bizneset edhe dy ditë kohë

Bizneset VIP të Tiranës dhe në të gjithë vendin kanë afat edhe dy ditë për vendosjen e kasave fiskale. Detyrimi kohor është përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, miratuar që në tetor të vitit 2008. Në rast se bizneset nuk i përmbushin afatet, atëherë organet tatimore janë të detyruar që të zbatojnë sanksione me gjoba që shkojnë deri në 100 mijë lekë të reja. Në tërësi procesi ka ecur normalisht, përveç sektorit të karburanteve, të cilëve u është lejuar shtyrja e afatit me kusht lidhja e kontratës brenda datës 31 maj. Specifikat teknike detyruan Ministrinë e Financave të rishikonte udhëzimin, pasi pikat e shitjes me pakicë të karburanteve përdorin pajisje të veçanta, si pompat, të cilat kërkojnë makineri shtesë dhe investime, deri në përfundimin e procesit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vijon të jetë optimist rreth përmbushjes së afatit, por zëra të tjerë nga Ministria e Financave thonë se rëndësi për projektin është rezultati, sesa afati. Në këtë pikë, nuk është e vështirë mundësia e shtyrjes së afatit, në mënyrë që t‘u jepet më shumë kohë palëve që të studiojnë tregun. Vetë distributorët e pajisjes me kasa fiskale dhe për shërbimin e tyre deklarojnë se i kanë të gjitha mundësitë për t‘iu përmbushur detyrimit ligjor, por se problemi real mbetet terreni ku punon biznesi. Një prej pesë shoqërive thotë për "Shqip" se, vendosja e kasave fiskale do të jetë një sfidë e madhe jo vetëm për to, por më së shumti për biznesin. "Nuk është çështja te shitja e kasës apo shërbimi që ne do të ofrojmë, por te vetë vullneti i biznesit për t‘i bërë gjërat më të realizueshme. Ne i plotësojmë të gjitha kriteret, kurse te bizneset shikohet një mangësi te kushtet e punës", sqaron një nga menaxherët e shoqërisë, që është e autorizuar nga Ministria e Financave.
Çmimi i pajisjeve fiskale varion nga lloji i biznesit, por përgjithësisht mesatarja arrin deri në 450 euro. Më së shumti, tarifa lidhet edhe me vetë kërkesën e biznesit për ta pasur pajisjen sa më efikase dhe bashkëkohore. Aktualisht në vend ushtrojnë aktivitetit privat rreth 90 biznese, ku gati 85 për qind prej tyre janë tatimpagues të vegjël. Pikërisht kjo kategori do të jetë më e vështira për të arritur vendosjen e kasës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›