Kasat fiskale, bllokohet procesi i instalimit
Prej një muaji është ndaluar procesi i instalimit të kasave fiskale për shkak të udhëzimit të ri, i cili duhet të dalë në përmbushje të VKM-së së fundit. Por disa shoqëri vazhdojnë ende të shesin kasa fiskale, duke e komplikuar akoma e më shumë procesin. Tatimet konfirmojnë faktin se janë kryer investigime në terren, nga ku kanë mësuar se disa shoqëri kasash kanë vijuar shitjen e pajisjeve kundër përcaktimeve në VKM, ndërsa janë konstatuar raste të rënda të shkeljes së sistemit fiskal. Për këtë arsye, bizneset janë duke u gjobitur, pasi kanë blerë pajisje që nuk u përputhen standardeve. Tatimet sqarojnë se ndalohet kategorikisht shitja dhe instalimi i kasave fiskale me dy rula letre, pa modem dhe sinjal transmetimi, apo shirit regjistrimi. Pavarësisht këtyre apeleve dhe vendimeve të qeverisë, sërish konstatohen raste të shkeljes së ligjit nga shoqëritë e autorizuara nga Ministria e Financave për vendosjen e kasave.
Tjetër pikë e debatit ka të bëjë me procesin e pezulluar të kasave, në pritje të udhëzimit të ri, që ende nuk ka marrë firmën e ministrit të Financave.
Qeveria e ndryshoi VKM për kasat pas konstatimit në terren të shkeljes së procedurave në instalimin e pajisjeve. Tashmë kompanive të autorizuara (që janë 5), u duhet nga e para të bëjnë instalimet e reja dhe memorizimin e pajisjes, me fondet e veta. Në të kundërt, e merr përsipër Ministria e Financave të bëjë rimbursimin, kurse shoqëria që kundërshton nuk ka më të drejtë të shesë kasa fiskale.
#