Kuponi tatimor, mosmarrja penalizon edhe blerësin
Në të njëjtin proces si me kasat fiskale duhet të ecë edhe iniciativa e tatimeve për të bindur biznesin që për çdo mall apo shërbim të shitur duhet të lëshojë kupon tatimor, pra faturën. Bashkëngjitur me vendimin për pajisjet fiskale, Drejtoria e Tatimeve u bën thirrje të gjitha bizneseve në rang vendi që çdo lëvizje të brendshme të mallrave nga magazina në magazine, nga magazina në dyqan apo anasjellas, në rastin e shitjeve derë me derë, në raste furnizimesh të mëdha, ku kërkohen disa mjete dhe ngarkesa transporti, duhet shoqëruar me faturë, e cila gjendet pranë Drejtorive Rajonale Tatimore ku janë të regjistruar. Mosmarrja e kuponit tatimor (faturës së mallit) e penalizon edhe blerësin ose përfituesin e shërbimit, përveç subjektit. Sipas ligjit: “Blerës, ose përfitues i shërbimit, i cili gjatë kontrollit në distancat e parashikuara me udhëzim të ministrit të Financave, nga vendi i shitjes apo ofrimit të shërbimit, nuk gjendet i pajisur me kupon tatimor, dënohet me gjobë të barabartë me 1000 lekë. Konstatimi, shqyrtimi dhe dënimi i shkeljes së parashikuar në këtë nen bëhet nga organet e administratës tatimore të juridiksionit ku kryen shkeljet”.
Kundërvajtjet administrative, nga mospërdorimi i pajisjeve fiskale
Tatimpaguesi person juridik dënohet me gjobë nga 20 -100 mijë lekë nëse: 1) Nuk instalon dhe përdor pajisjen fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë; 2) nuk lëshon kupon tatimor për qarkullimin e realizuar të mallrave apo shërbimet; 3) lëshon një biletë që nuk përmban elementët e përcaktuar në këtë ligj për kuponin tatimor; 4) lëshon kupon tatimor në të cilin ka vendosur një vlerë të ndryshme nga vlera e çmimit të afishuar; 5) nuk afishon në një vend të dukshëm një poster për detyrimin e blerësit të mallrave apo përfituesit të shërbimit për të kërkuar kupon tatimor; 6) nuk mban kontrollin e gjurmës së kuponit tatimor në ambientin e ofrimit të mallrave apo shërbimeve; 7) nuk bën faturë për qarkullimin e mallrave të realizuar apo shërbimeve të ofruara; 8) nuk mban libër llogarie për qarkullimin e kryer të mallrave; 9) nuk merr me qira apo nuk regjistron pajisje fiskale rezervë në rastet kur ky ligj parashikon këtë detyrim; 10) nuk mban dhe mirëmban në kushte pune pajisjet fiskale; 11) nuk njofton menjëherë defektin e ndodhur në pajisjen fiskale dhe nuk plotëson në rregull librezën fiskale të defekteve. Për kundërvajtjet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, drejtori përgjegjës i tatimpaguesit dënohet me gjobë nga 10.000 deri në 30.000 lekë. Për kundërvajtjet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, të kryera më shumë se një herë, mund të vendoset pezullimi i veprimtarisë deri në tre muaj. Për kundërvajtjet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, të kryera më shumë se tri herë, mund të vendoset mbyllja e veprimtarisë.
19 Shkurt 2009