E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada Tiranë-Elbasan, me 3 mars hapen ofertat

Nisja e projektit më të madh të infrastrukturës rrugore, ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan, duket edhe më i afërt, pasi më 3 mars do të shpallen të hapura ofertat ekonomike në tenderin ku do të marrin pjesë kompanitë më të njohura nga e gjithë bota. Këtë e bëri publike Kryeministri Sali Berisha, i cili gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar tha se “një projekt nga më madhorët e këtij viti fillon të nisë dhe të marrë jetë shumë shpejt”. “Fondi është tërësisht i siguruar, natyrisht duhet të pranojmë që kostoja është e lartë, por duhet të pranojmë se rëndësia e tij është jetike. Ky tunel dhe kjo autostradë, përbën segmentin më të rëndësishme të dy korridoreve të mëdha, të korridorit ndërkombëtar, të korridorit të 8 dhe të korridorit tjetër kombëtar, siç është boshti i jugut”, theksoi shefi i mazhorancës. “Mendoj se ndërtimi i kësaj vepre ka një rëndësi të jashtëzakonshme, sepse vërtet një zonë, e cila banohet së paku mbi një milion shqiptarë, shkurton në mënyrë të ndjeshme distancën me Tiranën dhe i jep Shqipërisë krejtësisht një konfigurim të ri. Elbasanin e bën qytetin dhe më të afërt dhe Durrësin e afron më shumë”, vlerësoi shefi i ekzekutivit. Sipas kryeministrit, kompanitë e angazhuara në këtë tender janë ndër më të mëdhatë dhe më të mirat në Europë dhe në botë, duke premtuar rishtas se koha e ndërtimit do të jetë 18 muaj. Kryeministri Berisha siguroi në këtë kontekst se “tuneli Tiranë-Elbasan do të inaugurohet në fillim të vitit 2013”. Ai theksoi se në këtë përurim, ai do të ftojë edhe grupin anti-tunel, pasi sikundër tha shefi i qeverisë “edhe ata do të shkojnë në Elbasan pastaj me tunelin”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›