Kasat, vazhdon bllokimi i subjekteve në Elbasan
Drejtoria Rajonale Elbasan vazhdon operacionet në shkallë të gjerë për verifikimin e pajisjes së subjekteve me kasa fiskale dhe dokumentacionin ligjor. Dje, Sektori i Zbatimit në Drejtorinë Rajonale Tatimore ka ekzekutuar 3 urdhra bllokimi për mospajisje me kasa fiskale. Por shpesh këto operacione po shoqërohen me kundërshtime të inspektorëve tatimore. Dje sektori i zbatimit në këtë drejtori ka kryer kallëzim penal në prokurori për një shtetas, për kanosje e fyerje për shkak të detyrës së një inspektori të Hetimit Tatimor. Kjo zyrë ka bllokuar disa subjekte gjatë kësaj jave dhe vazhdon operacionet e verifikimit në terren në shkallë qarku. Sipas shefit të Zbatimit të Hetimit Tatimor, Arben Elezi, Drejtoria e Tatim-Taksave në Elbasan është e vendosur që të ndëshkojë në bazë të ligjit të gjitha subjektet që nuk janë pajisur me kasa fiskale, pasi të gjitha afatet ligjore për këtë qëllim kanë kohë që janë konsumuar. Ndërkohë, ndëshkime do të ketë edhe për subjektet që nuk janë licencuar. Për këtë muaj, Tatim-Taksa në Elbasan ka hartuar një plan për parandalimin e rritjes së çmimeve në tregje me rastin e festive të fundvitit. Drejtori Xhimi Vyshka u shpreh se inspektorët janë shpërndarë në terren dhe nuk do të lejojnë tregtarët që të abuzojnë me çmimet. “Çdo abuzim me çmimet do të shoqërohet me sekuestrim të mallrave dhe penalizime të tregtarëve”, - deklaroi Vyshka. Kasat fiskale edhe pse janë vendosur, sërish nuk përdoren gjithmonë nga subjektet tregtare. Për këtë arsye, inspektorët e Tatim-Taksave kanë ndërmarrë herë pas here aksione nëpër biznese të ndryshme, në mënyrë që të verifikohet nëse bizneset vazhdojnë të abuzojnë në deklarimin e xhiros së tyre.