E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, jo më garante për borxhin e kompanive

SHKRUAN: Blerina Hoxha 09-12-2011 14:01

Borxhi që qeveria ka hyrë garante për të tretët ka arritur në 400 milionë euro. Në kushtet e një krize ndërkombëtare të borxheve, Ministria e Financave ka vendosur të mos hyjë më garante për huatë e kompanive shtetërore dhe të pushtetit lokal

Qeveria nuk do të hyjë më garante për borxhin e të tretëve, siç ka vepruar deri më tani, duke gjetur kështu një mënyrë për të mënjanuar rritjen e borxhit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Deri më tani qeveria ka hyrë garant për rreth 45 miliardë lekë të marra hua nga kompanitë shtetërore dhe pushteti lokal, të cilat nuk kanë mundur të shlyhen nga këta të fundit dhe tashmë njihen si borxh i shtetit. Kështu, shuma prej 400 milionë eurosh borxh i garantuar përbën rreth 3.76 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe nëse shteti nuk do të kishte hyrë garant, stoku i borxhit në raport me PBB-në do të ishte në nivelin 55.3 për qind. Sipas burimeve në Ministrinë e Financave, qeveritë në të gjithë botën hyjnë çdo ditë e më pak garante për borxhin e të tretëve, por edhe në rastet kur hyjnë garante, marrin pjesë me një përqindje të caktuar. Mirëpo, duke qenë se shteti ka privatizuar kompanitë kryesore në pronësi të tij, qeveria ka vendosur të heqë dorë nga garantuesi. Drejtoria e Borxhit në Ministrinë e Financave, në një analizë të posaçme për këtë qëllim vërën se portofoli i huasë ka një risk të lartë. Kjo për arsye se huamarrja e brendshme afatshkurtër vazhdon të përbëjë një pjesë të konsiderueshme, e cila kërkon rifinancim në një kohë relativisht të shkurtër, si dhe huamarrja në monedhë të huaj e cila është rritur, karakterizohet nga risku i kursit të këmbimit. “Simulimet kosto/risk tregojnë rëndësinë e reduktimit të borxhit, përndryshe efektet negative financiare do të jenë të mëdha duke shkaktuar pagesa të larta të shërbimit të borxhit”, thuhet në analizën e Ministrisë së Financave. Sipas të njëjtave burime, opsioni i huamarrjes që tregon risk më të ulët është huamarrja e brendshme afatgjatë. Por analiza e tregut tregon qartë që ky nuk është një opsion i zbatueshëm. Tregu i brendshëm nuk është aktualisht i përgatitur për blerjen e instrumenteve afatgjata, përveç obligacioneve 5-vjeçare, aq më tepër në shuma të mëdha. Opsioni i dytë më i mirë në terma të kostos dhe uljes së riskut, sipas Ministrisë së Financave, është huamarrja me kosto të ulët në aspektin afatgjatë dhe risk më të ulët të kursit të këmbimit. Nga të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave rezulton se në fund të shtatorit, borxhi publik i vendit arriti në 768.9 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 53.5 miliardë lekësh kundrejt fundit të vitit 2010. Pjesën më të madhe të borxhit qeveria ua ka marrë qytetarëve të saj nëpërmjet bonove të thesarit. Borxhi i brendshëm vlerësohet në 437.6 miliardë lekë, ndërsa borxhi i jashtëm ose kreditë që iu janë marrë institucioneve financiare ndërkombëtare dhe donatorëve të huaj llogariten në 331 miliardë lekë. Niveli i lartë i borxhit konsiderohet një ndër rreziqet kryesore të buxhetit të shtetit gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkaq, po nga të dhënat e dikasterit të Financave rezulton se mosrealizimi i të ardhurave në nivelin e parashikuar ka kushtëzuar qeverinë në investimet që ka bërë. Shpenzimet kapitale deri në fund të muajit shtator janë realizuar në rreth 62.5 për qind të planit vjetor. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet e brendshme rezultojnë rreth 3.2 miliardë lekë më të ulëta ose rreth 9.2 për qind më pak.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›