E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasetat e partive në TV, KQZ: Vendimi në përputhje me Kodin Zgjedhor

TIRANE - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu përgjigj sot mediave që kundërshtojnë vendimin e komisionit “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në Radio /Televizionet private, bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore.” Zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxhaj sqaroi se komisioni e ka marrë këtë vendim në përputhje me Kodin Zgjedhor.

“KQZ-referuar nga keqinterpretimet e bëra për vendimin e së nr. 503 të datës 03.06.2013, sqaron opinionin publik se vendimin “Për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në Radio / Televizionet private, bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore, për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 23 Qershor 2013” e ka marrë në përputhje me Kodin Zgjedhor. KQZ në mënyrë eksplicite ka cituar pikën 1 të nenit 84 të Kodit Zgjedhor. Neni 84, pika 1, parashikon se informacionet mbi aktivitetin e fushatës zgjedhore, që përgatiten dhe transmetohen në edicionet informative, bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet zgjedhore duhet te identifikohen qartë në përputhje me disa udhëzime të KQZ-së. KQZ me vendimin nr. 503, datë 3.06.2013, ka zbatuar detyrimin qe kodi zgjedhor i ngarkon për të nxjerr udhëzime në lidhje me mënyrën se si subjektet zgjedhore duhet të përgatisin materialet për informacionin e fushatës zgjedhor, të cilat ja vënë në dispozicion operatorëve radiotelevizive private. Partive politike të drejtën të përgatisin materiale për pasqyrimin e fushatës zgjedhore dhe këto materiale t’ia vënë në dispozicion radiotelevizioneve private ua jep kodi zgjedhor dhe jo KQZ.”- deklaroi Hoxhaj.

Sipas zëdhënëses Hoxhaj, “KQZ me këtë vendim vendos vetëm disa udhëzime që garantojnë identifikimin e qartë të subjektit zgjedhor që ka përgatitur materialin për pasqyrimin e fushatës zgjedhore, si dhe garanton paanshmërinë nga ana e operatorëve radiotelevizivë privat në pasqyrimin e fushatës zgjedhore të subjekteve zgjedhore.”

“Të gjithë jemi koshient se jo të gjitha mediat kanë kapacitete dhe mundësi për të ndjekur çdo aktivitet të çdo partie politike dhe vendimi nr. 503 nuk i përjashton ato media nga mundësia për të transmetuar fushatën zgjedhore të partive politike. Ky vendim i KQZ nuk përjashton as mediat që dëshirojnë dhe kanë kapacitete për të ndjekur çdo aktivitet të të gjitha partive politike. Të gjithë ata që interpretojnë apo keqinterpretojnë vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duhet ti referohen Kodit Zgjedhor i cili është produkt i konsensusit të forcave politike, të materializuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe që KQZ ka detyrimin ligjor vetëm për ta zbatuar atë nen për nen. “- përfundoi zëdhënësja e KQZ-së.

Gazetarë të njohur dhe drejtues të mediave në vend kanë kundërshtuar vendimin e KQZ-së me arsyetimin se Komisioni ka ligjëruar synimet e partive politike për t’iu paraqitur shqiptarëve atë që ata duan, duke u hequr të drejtën e informimit prej këndvështrimeve të ndryshme.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›