E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Ramës: Mos mashtro qytetarët, gënjeshtra është vesi më i lig i burrit

GRAMSH - Fushata elektorale e demokratëve u ndal sot në qytetin e Gramshit, ku u prezantuan kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 23 qershorit. Mitingu elektoral u parapri nga një koncert me këngëtarë të njohur nga vendi dhe Kosova. Gjatë fjalës së tij përpara mbështetësve të PD-së, kryeministri Berisha akuzoi kryetarin e opozitës se po gënjen qytetarët.

“Alternativa tjetër është alternativa e bllokimit, mohimit, shpifjeve dhe trillimit. Shoku i autobusit, gënjeshtra është vesi më i lig i burrit. Qeveria ka ndërtuar rrugë, shkolla në Gramsh, në këtë bashki që qeveriset nga socialistët. Po ndërton kudo, pa dallime partiake. Shoku i autobusit u the qytetarëve të Gramshit se polici paguan taksa sa kryeministri, e turpshme kjo qe thua. Kryeministri paguan taksa aq herë më shumë, sa herë më të madhe e ka rrogën së çdo qytetar tjetër.”- deklaroi Berisha.

Kryeministri sulmoi sërish programin e socialistëve, duke e vënë theksin kryesisht tek premtimi i tyre për të hequr TVSH-në për 5 ushqimet bazë. Sipas kryeministrit Berisha, kjo politikë do të shkatërronte fermerët shqiptarë.

“Duke hequr taksat për mallrat e importit, në Gramsh dhe në Shqipëri s’mund të mbjellë më kush grurë, sepse gruri i vendeve të tjera do invadojnë Shqipërinë me çmime më të ulëta dhe tokat tuaja s’kanë pse mbillen më. Kjo do ndodhe me bukën, qumështin. Politika jonë është mbrojtja juaj, ne u mbrojmë dhe do u mbrojmë ju me të gjithë ligjet tona.”- u shpreh Berisha.

Kryeministri kërkoi mbështetjen e qytetarëve të Gramshit, duke i siguruar ata që gjatë katër viteve që vijnë qeveria do të bëjë gjithçka për punësimin dhe paga më ta larta.

“Ne kemi një plan konkret për punësimin. Plani ynë bazohet në vazhdimin e ndërtimit të infrastrukturës më moderne. Alternativa jonë nuk është bulevard, por është e ndershme serioze, bazohet në ndihmën tonë ndaj jush, që ju me lirinë tuaj, lirinë ekonomike me dyqanet tuaja, bizneset tuaja fermat tuaja të rrisni mirëqenien tuaj. Do rrisim rogat dhe pensionet dy herë më shumë se çmimet, sikundër jam sot këtu për tu premtuar të gjithë punonjësve të administratës shqiptare se do të fillojë nga fundi i këtij viti rroga e 13të për ta nga Partia Demokratike. Kjo është politika që ne besojmë. Në 23 qershor votoni për punësimin tuaj.”- tha Berisha.

Takimi në Gramsh do të vijojë më pas me inaugurimin e përfundimit të rikonstruksionit të rrugës Mollas-Selitë Frashër si dhe në inaugurimin e fillimit të punimeve të rrugës Mollas-Qendër-Lagjia e Gineve. Rruga Mollas-Selitë Frashër do të jetë e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm, përfshirë sinjalistikën vertikale dhe horizontale, vepra arti, mure mbajtës, tombino etj. Në zonat e banuara rruga do të ketë trotuare. 

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›