Zv.ministri i Jashtëm grek: Do monitorojmë zgjedhjet në Himarë
Kur na ndajnë dhe 5 ditë nga zgjedhjet vendore, Vasil Bollano dhe Vangjel Dule kanë zhvilluar një vizitë në Athinë, ku kanë takuar Kryeministrin e Greqisë, Jorgos Papandreu. Sipas mediave greke, kandidati i PBDNJ-së për Bashkinë e Himarës dhe Dule kanë marrë mbështetjen e plotë të tij për zgjedhjet e 8 majit, ku Vasil Bollano rikandidon për kreun e Bashkisë së Himarës. Mësohet se dy ditë më parë, dy përfaqësuesit e komunitetit grek në Shqipëri, kanë zhvilluar një takim me disa figura të njohura të politikës greke, por edhe mbështetës të kësaj partie. Në këtë takim kanë qenë prezent edhe zv.ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitros Dolis, eurodeputeti grek Jorgos Kumucakos, si dhe personalitete të tjera të politikës greke. Në fillim të këtij takimi, të zhvilluar në një prej hoteleve të Athinës, të gjithë të pranishmit kanë mbajtur 1 minutë heshtje në nder të Aristotel Gumës, i cili humbi jetën disa muaj më parë në Himarë. Gjatë fjalës së tij, zv.ministri i Jashtëm i Greqisë, Dimitros Dolis shprehu dhe një herë shqetësimin për shfaqjen e akteve të dhunës në Himarë. Gjithashtu, ai bëri të ditur se shteti grek me organet përkatëse do të mbikëqyrin nga afër procesin zgjedhor në Shqipëri, gjatë gjithë rrjedhës së tij. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe deputeti i Greqisë në Parlamentin Europian, Jorgos Kumucakos, i cili ka deklaruar se do të jetë prezent në Himarë gjatë procesit zgjedhor, i shoqëruar nga një delegacion i Parlamentit Europian. Ajo që ka rënë në sy gjatë këtij takimi ishte dhe prania e ish-kampionit Pirro Dhima, i cili u pa gjatë gjithë kohës në krah të Vasil Bollanos.