E Diel, 1 Nëntor 2026

Kashari, qeveria heq 5 muaj pas arrestimit kryekomunarin

 

Këshilli i Ministrave ka shkarkuar Alfred Sulajn, i cili vazhdonte të mbante “de jure” postin, edhe pse në burg

TIRANË- Megjithëse ndodhet në qeli prej më shumë se 5 muajsh, Alfred Sulaj mund të konsiderohej “de jure” kryetar i komunës së Kasharit. Këshilli i Ministrave është kujtuar vetëm dje për zyrtarin e burgosur me akuzën e korrupsionit të funksionarëve shtetërore, duke e shkarkuar atë nga detyra. Vendimi i firmosur nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, dhe kryeministri Sali Berisha ka kaluar dje në mbledhjen e qeverisë, duke i hequr të akuzuarit për abuzimet me tokat në Kashar të drejtën e postit të kryekomunarit. Në vendimin e mësipërm është cituar një nen i ligjit për funksionimin e pushtetit vendor, sipas së cilit Këshilli Komunal propozon shkarkimin e kryetarit të komunës, nëse kanë kaluar 3 muaj nga mosparaqitja e tij në punë. Në rastin e Alfred Sulajt, kanë kaluar më shumë se 5 muaj që ai ndodhet në qeli, duke qenë njëkohësisht edhe kryetar komune në letra.

***

Alfred Sulaj, i zgjedhuri i fundit në krye të komunës së Kasharit, ka vazhduar në të njëjtën linjë me paraardhësit e tij abuzimet me tokat në këtë zonë periferike të Tiranës. Uzurpimi masiv i tokave në këtë komunë ka filluar në vitin 2000, në kohën që kryetar komune ishte i pandehuri tjeter, Naim Karaj, ka vazhduar gjatë kohës së Faik Fejzos dhe është mbyllur në drejtimin e Sulajt, i cili u arrestua me dy akuza në shpinë. Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, akuzat e ngritura kundër tij si dhe masa e sigurisë “arrest me burg” janë të mjaftueshme për shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të komunës së Kasharit.

***

Skandali i abuzimit me tokat është “shtrirë” në 178 mijë metra katrorë në zonën e Kasharit. Në këtë përfundim ka arritur Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës, e cila pak ditë më parë ka mbyllur hetimet për kryekomunarët e arrestuar dhe i ka dorëzuar dosjen gjykatës. Sipas kërkesës për gjykim, që tashmë është depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, prokuroria ka dërguar në bankën e të pandehurve 10 shtetas, punonjës të komunës së Kasharit dhe të afërm të këtyre zyrtarëve, të cilët kanë përfituar rreth 18 hektarë tokë në mënyrë abuzive. Këto prona iu janë grabitur fshatarëve të kësaj komune, duke i shitur në disa duar e mbi të cilat janë ngritur dhjetëra biznese, ndërtime të larta dhe shtëpi private. “Nga hetimet gjashtë mujore ka rezultuar se 10 të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë të ndryshme por në mënyrë të njëjtë kanë tjetërsuar e përvetësuar rreth 178 mijë metra katror truall, të “grabitura” këto në 34 raste të ndryshme. Këto prona, në bazë të ligjit 7051 për kthimin dhe kompensimin e tyre i takonin fshatarëve të Kasharit”,-thuhet në kërkesën që prokuroria ka dorëzuar në gjykatë. Sipas llogaritjeve të bëra, dëmi i shkaktuar nga korrupsioni në këtë komunë kap vlerën e 20 milionë eurove.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›