Zhvarroset polici i Qafë- Gjashtës, ekzaminohet trupi
Gjergji Mehmeti, viktimë e masakrës është shpallur “Dëshmor i Atdheut”
TIRANË- Ish-punonjësi i Policisë së Shtetit, Gjergji Mehmeti, i vrarë në trazirat e vitit 1997 është zhvarrosur dje, për t’u përcjellë edhe një tjetër herë si Dëshmor i Atdheut. Varrimi i dytë i viktimës së masakrës së Qafë-Gjashtës do të kryhet me nderime ushtarake, pasi Policia e Shtetit i ka atribuar titullin e dëshmorit. Ndërkohë, duke shfrytëzuar rastin e zhvarrimit të ish-policit Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur një grup pune drejt Tepelenës, për të ekzaminuar për llogari të hetimeve trupin e policit të vrarë në vitin 1997. Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda konfirmohet se gjatë zhvarrimit të trupit të ish-efektivit të policisë së shtetit ka asistuar edhe prokurori i çështjes, Adnan Xholi, nga hetimet e të cilit janë arrestuar 10 persona në lidhje me këtë ngjarje makabre të vitit 1997. “Gjatë zhvarrosjes së trupit të Gjergji Mehmetit, ekspertët e Mjekësisë Ligjore kanë konstatuar rreth pesë predha në trupin e viktimës së varrosur në kohën e trazirave nga familjarët e tij, pas tërheqjes së trupit të djegur në makinën me të cilën po udhëtonte Gjergji Mehmeti në drejtim të Sarandës, bashkë me dy kolegët e tij të cilët mbetën të plagosur nga kjo ngjarje”-pohojnë për “Shekullin” burime nga prokuroria. Hetimi për zbardhjen e ngjarjes së 4 marsit të vitit 1997 vazhdon pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila menjëherë pas hapjes së kësaj dosjeje ka arrestuar rreth 10 persona si të dyshuar për ekzekutimin e policit Gjergji Mehmeti dhe rrëmbimit e plagosjes së kolegut të tij, Edi Aliaj. Sipas prokurorisë, gjatë hetimeve të deritanishme, prokuroria ka mundur të sigurojë një sërë provash materiale dhe filmike në lidhje me ngjarjen e 4 marsit 1997, të ndodhur në vendin e quajtur Qafë Gjashtë, ku makina e policisë ra në pritë të “rebelëve”.