E Diel, 1 Nëntor 2026

Kashta: Përafrim 100% i ligjit për prokurimet publike me legjislacionin e BE-së

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Shqipëria po punon për përmbushjen e tre kushteve për mbylljen e Kapitullit 5 të negociatave me Bashkimin Evropian, që lidhet me prokurimin publik, ndërsa drafti i ri i ligjit për prokurimin publik synon përafrimin 100% me legjislacionin e BE-së.

Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta e bëri të ditur këtë gjatë seancës dëgjimore të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, në kuadër të mbikëqyrjes parlamentare.

Kashta tha se Kapitulli 5 ka vetëm tre kushte për mbylljen: përafrimin e legjislacionit, vendosjen e kapaciteteve institucionale për zbatimin e tij dhe dëshmimin e një historie të qëndrueshme të zbatimit të ligjit.

“Për të tre treguesit po punojmë prej dy vitesh dhe po punojmë për mbylljen e kapitullit”, u shpreh Kashta.

Sa i takon përafrimit të legjislacionit, ajo bëri të ditur se drafti i ligjit për prokurimin publik është përfunduar dhe së shpejti pritet të kalojë në qeveri për miratim.

“Drafti i ligjit të prokurimit publik është mbyllur dhe synon përafrimin 100% të ligjit me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Shpejt do të kalojë në qeveri për miratim”, tha Kashta.

Ajo informoi se paralelisht po përgatiten edhe aktet e nevojshme nënligjore për zbatimin e kuadrit të ri. Për prokurimin publik dhe koncesionet, Kashta tha se po punohet për përafrimin e kuadrit me standardet e BE-së, ndërsa aktet nënligjore që shoqërojnë ligjin pritet të përmbyllen gjatë këtij muaji.

“Po punojmë për përafrimin e ligjit për PPP-të sipas BE-së dhe për koncesionet. Aktualisht po përmbyllen aktet nënligjore që shoqërojnë ligjin dhe synojmë t’i mbyllim këtë muaj”, deklaroi ajo.

Sa i përket prokurimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, Kashta bëri të ditur se drafti i ligjit është hartuar dhe është hedhur për konsultim publik.

Duke folur për kapacitetet institucionale, ajo theksoi se Agjencia e Prokurimit Publik është funksionale, ndërsa Komisioni i Prokurimit Publik, si organ i pavarur, është 100% funksional.

“Për kapacitetet njerëzore janë trajnuar një numër i lartë punonjësish dhe asnjë institucion nuk do të ketë punonjës të patrajnuar, të paktën një person duhet të jetë i trajnuar në çdo institucion”, tha Kashta.

Në lidhje me kushtin e tretë, atë të historikut të zbatimit të legjislacionit, Kashta vuri në dukje rëndësinë e sistemit elektronik të prokurimit, i cili mundëson disponimin e të dhënave të plota mbi procedurat.

“Ne kemi një sistem elektronik të prokurimit në funksion dhe kemi të dhëna të plota se çfarë ndodh. Kjo na tregon një tregues të plotë të performancës dhe këto të dhëna janë sipas standardeve të BE-së. Sistemi është në përmirësim të vazhdueshëm sipas zhvillimeve”, u shpreh ajo.

Kashta bëri të ditur gjithashtu se për herë të parë është hartuar një tregues për matjen e korrupsionit në prokurim dhe janë përgatitur planet përkatëse të masave në bashkëpunim me institucionet antikorrupsion.

Drejtorja e APP-së informoi se agjencia po negocion edhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë, proces që po ecën paralelisht me integrimin evropian.

Në fokus të punës së APP-së, sipas saj, është edhe avancimi i mëtejshëm i digjitalizimit të të dhënave dhe zbatimi i kontratave të prokurimit publik.

“Synimi është të rrisim numrin e ofertuesve. Vihet re deri në gjashtë ofertues për punët publike, ndërsa ka një numër më të vogël për mallrat dhe shërbimet. Një nga treguesit është konkurrenca dhe ulja e procedurave kur kemi vetëm një ofertues”, tha Kashta.

Ajo theksoi se niveli aktual i konkurrencës është 3,7 dhe synimi është ruajtja e këtij niveli, duke punuar për rritjen e mëtejshme të konkurrencës.

Në përfundim, Kashta kërkoi mbështetjen e Kuvendit për miratimin e dy akteve ligjore, me qëllim avancimin e procesit dhe përmbushjen e kushteve të kërkuara në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›