Tregtia me pakicë rritet me 6,8% në tremujorin e dytë

TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Tregtia me pakicë vijoi zgjerimin edhe në tremujorin e dytë të vitit 2026, me volumin e shitjeve që u rrit me 6,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë arriti në 125, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë të vitit, volumi i shitjeve u rrit me 1,6%, i përshtatur sezonalisht.
Rritja u mbështet nga të gjitha kategoritë kryesore. Kontributin më të madh e dhanë artikujt jo-ushqimorë me 2,7 pikë përqindje, të ndjekur nga tregtia e hidrokarbureve me 2,1 pikë përqindje dhe grupi ushqime, pije dhe duhan me 2 pikë përqindje.
Hidrokarburet regjistruan rritjen më të lartë vjetore, me 8,4%, ndërsa në raport me tremujorin e parë volumi i shitjeve u rrit me 2,1%. Pa përfshirë hidrokarburet, tregtia me pakicë shënoi një rritje vjetore prej 6,3%.
Ndërkohë, shitjet e artikujve joushqimorë u rritën me 6,4% krahasuar me një vit më parë, ndërsa ushqimet, pijet dhe duhani me 6,0%.
Në terma tremujorë, artikujt joushqimorë shënuan rritje prej 1,9%, ndërsa grupi ushqime, pije dhe duhan u rrit me 0,4%.
Të dhënat e INSTAT tregojnë kështu një zgjerim të aktivitetit në tregtinë me pakicë, të mbështetur nga rritja e shitjeve të artikujve jo-ushqimorë, hidrokarbureve dhe produkteve të konsumit të përditshëm.
/e.xh/j.p/r.e/