E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasianov: është një ish-spiun, që përpiqet të mbajë shoqërinë nën kontroll

Le të kthehemi në 31 dhjetorin e vitit 1999 në Moskë. Për rusët po përfundonte një shekull shumë i vështirë, që pa revolucionin dhe përmbysjen e komunizmit njëherazi. Mijëvjeçari ishte në prag dhe ndërsa të gjithë po gatiteshin të trokisnin gotat me shpresën e një shekulli të mbarë vjen lajmi i papritur: Boris Jelcin, lideri i parë postsovjetik, njofton dorëheqjen. Vladimir Putin merr në dorëzim postin e lartë si President në detyrë. Në çeçeni ka luftë. Ekonomia është ende shumë e dobët dhe në borxhe. Për një ish-këshilltar të Jelcinit, që e ka ndjekur me vëmendje si Putinin, ashtu edhe Rusinë gjatë këtyre viteve, “Putin është brilant, i mprehtë e ndonjëherë i ashpër. është një djalë rruge i shndërruar në një politikan shumë të sofistikuar dhe në një manipulator të vërtetë”. Për sa u përket rusëve super të pasur ai ka qenë një President i mirë, për të tjerët është një person që ka shkaktuar shumë dëme, veçanërisht në fushën e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Një nga veprimet e para që ndërmori Putini ishte që të emëronte Mikail Kasianovin si Kryeministër. Sot Kasianov është një nga kundërshtarët politik të Putinit dhe thotë për të: “Ai ishte dhe është një oficer i vjetër i KGB-së, që drejton, ose përpiqet të drejtojë vendin nga këndvështrimi i një spiuni. Përpiqet si të mbajë shoqërinë nën kontroll dhe të mos lejojë njerëzit të shprehen për atë që ndiejnë, sepse një gjë e tillë do të ishte shumë e rrezikshme”. Gjatë viteve të tij në presidencë dhe më pas është përballur me shumë çështje të vështira, si incidenti tragjik i Kurskut, pengmarrjet në teatrin e Moskës, vrasja e fëmijëve të shkollës së Besllanit, por një nga çështjet më kontroversale, që vazhdon të mbetet e tillë edhe sot, është arrestimi i njeriut më të pasur të vendit, Kodorkovski, që kishte gjasa të shndërrohej në kundërshtarin e tij më të madh e që u akuzua për pastrim parash e mospagim taksash.
Gjatë qeverisjes së Putinit si President, marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin kanë qenë herë pas here të tensionuara, veçanërisht për shkak të zgjerimit të NATO-s në lindje të Europës. Putin e ndryshoi deri diku standardin e jetesës përmes eksportit të gazit dhe naftës, por, nga ana tjetër, ekonomia e vendit dhe industria janë të prapambetura dhe të varura tërësisht nga pasuritë nëntokësore. Megjithatë, Putin për mirë a për keq e ka të siguruar një vend në historinë e vendit të tij.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›