E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një “çak” i fundit për Kujtim Laron

Thoshte se të jesh regjisor, fillimisht duhet të jesh qytetar. “Të jesh regjisor do të thotë të dish të qeshësh e të qash, të jesh pjesë e së përditshmes, të lexosh vazhdimisht dhe emocionet e përjetuara, ngacmimet e mbledhura t‘ia përcjellësh publikut... Nëse e arrin këtë, atëherë je regjisor".
Ky ishte Ibrahim Muçaj, njeriu, qytetari, regjisori, artisti, ai që për më shumë se 40 vjet iu kushtua me pasionin e dashurinë më të madhe kinematografisë, filmit. Nuk jeton më.
Regjisori u nda nga jeta mbrëmjen e së hënës, më 4 janar, pas një infarkti në zemër. Projekti i fundit i regjisorit, që prej kohësh flinte në sirtar, ishte një film të cilin e quante “qershia mbi tortë” për krijimtarinë së tij. “Babai, dielli dhe zoti për karshi”, një film me metrazh të gjatë, i kushtohej krijimtarisë së kompozitorit të madh shqiptar, Kujtim Laro. Skenarin e shkroi vetë. Për katër vite të gjata u kujdes për çdo detaj të këtij filmi të ri. Skemën e kishte gati, aktorët gjithashtu, edhe vendet ku do të xhirohej filmi i kishte pikasur...
Personazhi kryesor është një kompozitor. Ai rreket të gjejë zgjidhjen mes "të kesh apo të jesh", të përcjellë babanë, kompozitorin që jeton me motivin "të jesh", dhe të birin që jeton me motivin "të kesh". Edhe për këtë film, ashtu si edhe për disa të tjerë, këto vitet e fundit Ibrahim Muçaj do të bashkëpunonte me të birin, Irvinin, edhe ky regjisor.
Familjarë, të afërm, miq e kolegë, rreth mesditës së djeshme përcollën drejt banesës së fundit Ibrahimin, pas një ceremonie që u mbajt në ambientet e Teatrit Kombëtar në Tiranë.
Ndarja e papritur nga jeta, kur ishte ende 65 vjeç, e ka bërë akoma më të vështirë dhe më të pabesueshme për të gjithë. Regjisorit Kristaq Mitro, bashkëpunëtor i hershëm dhe mik i afërt i regjisorit me të cilin i lidhnin shumë filma si bashkëregjisorë, ende i duket e pabesueshme kjo humbje.
“Fjalët ndonjëherë janë të varfra për të thënë atë që ndjen. Në momentin kur më dhanë lajmin, pata një moment shumë të vështirë. Akoma nuk e besoj dot. Kur mora në telefon mikun tonë Rikard Ljarjen, ai më pyeste vazhdimisht: “Po a ke pyetur mirë, mos nuk është e vërtetë...”. Nuk mund t’i thosha gjë tjetër, veçse që ka ndodhur dhe mbylla telefonin e nuk fola dot më”, shprehet Mitro. “Gjatë gjithë këtyre viteve, ne mësuam nga njëri-tjetri, kompensuam ato çka na mungonin. Nuk kishte ambicie mes nesh dhe kjo e çoi bashkëpunimin përpara, që nga filmi ynë i parë ‘Dimri i fundit’, deri te ‘Një djalë dhe një vajzë’, shton më tej ai.
Më kujtohet filmi i mrekullueshëm ‘Dimri i fundit’, ku në borën deri në gju, ai hynte në hallet tona, e harronte të ftohtin... Ishte tepër modest dhe njerëzor”, tha mes lotësh aktorja Margarita Xhepa, e cila ka interpretuar në të parin film të gjatë nën drejtimin e Ibrahim Muçajt dhe Kristaq Mitros.
“Kur shoh trupin e tij të shtrirë, më kujtohet gjithë jeta ime artistike. Më kujtohet filmi im i parë, ‘Dimri i fundit’, kur unë isha vajzë fare e re, ndërsa ata dy, Ibrahimi e Kristaqi, burra të rinj, që kishin marrë përsipër të realizonin filmin e tyre të parë”, u shpreh aktorja Rajmonda Bulku, e cila për herë të parë u shfaq në ekran në filmin e drejtuar prej Muçajt e Mitros kur ishte vetëm 17 vjeçe. Edhe aktori Bujar Asqeriu për herë të parë ka interpretuar në një film të regjisorit Ibrahim Muçaj, në filmin “Liri a vdekje”. “Ai ka luajtur një rol shumë të madh në rritjen time profesionale. Mendoj se e rëndësishme është të theksohet natyra e tij njerëzore e fisnike.
Ishte njeri modest, kokulur. Në sheshin e xhirimit ishte një profesionist i vërtetë, regjisor që e ndihmonte shumë aktorin. Ishte i aftë t’i vilte atij sinqeritetin e spontanitetin e duhur. Modestia e Ibrahim Muçajt ishte thellësisht e admirueshme.
Ishte një mik i shtrenjtë”, komentoi Bujar Asqeriu.
Vetëm një muaj më parë, më 8 dhjetor të vitit që sapo lamë pas, ai ka festuar 65-vjetorin e lindjes. Në Vlorë, atje erdhi në jetë Ibrahim Muçaj. Shpirti artistik u formua pranë valëve të detit, ndërsa dashuria për kinemanë lindi falë të atit, i cili ishte projektuesi i filmave në kinemanë e Vlorës së atyre viteve.
Nuk u desh shumë që ai të rrëmbehej prej magjisë së ekranit të madh, të ëndërronte e të shpresonte se një ditë edhe ai do të ishte pjesë e saj. Angazhohej vazhdimisht në të gjitha veprimtaritë kulturore të shkollës. Ndihej se aktrimin e kish përzemër. Pas përfundimit të shkollës tetëvjeçare, Ibrahimi synonte të vazhdonte Liceun Artistik në degën e Aktrimit, dëshirë e cila nuk u realizua, pasi pikërisht atë vit ajo degë u mbyll. Atëherë në vitin 1958 ai vazhdoi studimet në Politeknikumin "17 Nëntori" në Tiranë, në degën Mekanike.
Studimet e larta ishte i detyruar t’i vazhdonte për Inxhinieri Mekanike, por refuzoi. Ibrahim Muçaj dëshironte ende të bëhej pjesë e botës magjike të kinematografisë. Kthehet në Vlorë dhe ndërsa punonte si mekanik, u angazhua në veprimtari të ndryshme artistike, si dhe në aktivitetet e Estradës së Vlorës, e ndërkaq priste që të niste studimet për profesionin që dëshironte më shumë. Thoshte se kishte një bindje të brendshme se do të bëhej aktor. Dhe arriti të studionte pikërisht për këtë.
Regjia erdhi pak më vonë, për këtë nuk ishte përgatitur. Por kur kuptoi se çfarë ishte me të vërtetë kinemaja, komunikimi përmes imazhit, të komunikuarit përmes saj... atëherë po, ndjeu se për të ishte një fat i madh që mësoi të ishte një regjisor.
Aktrimi megjithatë, dashuria për të, e lehtësoi gjatë punës si regjisor. E bëri më të thjeshtë komunikimin me aktorët.
Të dyja bashkë, thoshte ai, aktrimi dhe regjisura, japin në fund një rezultat final, një film të mirë. Në vitin 1976, pasi kishte punuar për rreth katër vite si as/regjisor në Kinostudio, Ibrahim Muçaj nis një kurs pasuniversitar mbi regjinë.
Diplomën e mbrojti në vitin 1976 me filmin "Dimri i fundit", të cilin e realizoi në bashkëpunim me regjisorin tjetër, Kristaq Mitro, me të cilin gjatë gjithë këtyre viteve i lidhi një miqësi e gjatë e një bashkëpunim i përhershëm në filma.
Pas këtij filmi, krijimtaria e regjisorit Ibrahim Muçaj u pasurua me shumë të tjerë: "Tokë e përgjakur", "Nusja dhe shtetrrethimi", "Liri a vdekje", "Në prag të lirisë", "Njeriu i mirë", "Apasionata", "Duaje emrin tënd", "Telefoni i një mëngjesi", "Një djalë dhe një vajzë" etj. “Tani, filmat e mi nuk më përkasin më mua. Ata janë të publikut”, ka thënë regjisori në intervistën e tij të fundit, dhënë për gazetën “Shqip” në muajin korrik të vitit 2009.
Ibrahim Muçaj është gjithashtu edhe autor i një sërë dokumentarësh.
I fundit i realizuar prej tij u shfaq premierë në Teatrin Kombëtar në vitin 2009 dhe i kushtohej isopolifonisë. Gjatë karrierës së tij, Ibrahim Muçaj ka dhënë kontributin e tij edhe si pedagog në degën e Regjisë skenike, pranë Akademisë së Arteve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›