Kasijas ka frikë Luka Tonin

Spanja do të ketë mbështetjen e mbretit Huan Karlos dhe mbretëreshës Sofia në ndeshjen kundër Italisë. Formacioni spanjoll i fitoi të tria ndeshjet në grup, por në cerekfinale do të ketë përballë Italinë, "delen e zezë".
Të gjithë lojtarët spanjollë e konsiderojnë Italinë favorite. Të njëjtin mendim ndan edhe portieri i Realit të Madridit, Iker Kasijas.
"Spanja bëri shumë mirë në fazën e parë, por megjithatë niset e paavantazhuar. Italia është favorite porsa i përket historisë, pasi ka arritur më shumë finale, ka fituar më shumë dhe sepse Spanja ka fituar vetëm një Europian, dhe kjo kohë më parë". Kasijas ka frikë para së gjithash një lojtar italian: Luka Tonin. "Duhet të jemi të kujdesshëm nga topat standardë, pasi Toni është shumë shtatlartë. Nëse arrijmë ta bllokojmë atëherë do të jemi në rrugën e mbarë për t'i dhënë fund mallkimit në cerekfinale".