E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastrati, probleme me trajnerin

Bekim Kastrati e ka shfaqur edhe një herë nervozizmin e tij, kësaj radhe ndaj trajneri të tij Bonner SC, Wolfgang Jerat.

Futbollisti kosovar, pasi ishte zëvendësuar në përballjen e një jave më parë ndaj Kaiserslautern, e kishte lëshuar fushën i nervozuar dhe e ka shfaqur qartë zhgënjimin e tij ndaj trajnerit Jerat për vendimin e tij. Këtë nuk e ka pritur aspak mirë trajneri gjerman Wolfgang Jerat.

“Ajo ishte një sjellje e papranueshme dhe mungesë respekti për Marco Quotschalla, që po përgatitej të hynte në lojë në vend të tij”, ka thënë trajneri i Bonner SC për mediet gjermane.

Kjo sjellje e pamatur i ka kushtuar sulmuesit kosovar me përfundim në tribunë në ndeshjen me ekipin e dytë të Schalkes, ku e shikoi lojën si shikues. Kastrati nuk është ftuar fare në 18-sh nga trajneri i Bonner SC. “Nëse Bekimi do të luajë apo jo kundër Saarbrucken, do të varet nga ai”, tha në fund Jerat.

Pas fitores ndaj Schalke II, Bonner SC e ka siguruar mbijetesën në Regional-Liga (Liga e Katërt gjermane). Problemet e shpeshta me lëndime nuk ishin të vetmet në karrierën e futbollistit pejan, ngase ai ka pasur probleme edhe me trajnerë në vazhdimësi.

Kastrati kishte mosmarrëveshje me trajnerët e tij edhe në ekipet ku kishte luajtur më parë te Borussia Monchengladbach, Fortuna Dusseldorf dhe së fundmi te Dynamo Dresden.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›