E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastriot Islami: “PS, në rrjedhje elektorale - Edi Rama dështoi me autoritarizmin e tij”

30-07-2011 / Gazeta 55

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste dhe njëherazi deputeti i kësaj force politike Kastriot Islami, deklaron se partia më e madhe e opozitës është në një proces rrjedhje elektorale.
Deklarata e Kastriot Islamit vjen në momentin kur ai dhe deputetë të tjerë socialistë kanë kërkuar reflektim nga PS, për të ndryshuar kursin politik. Dështimin e 8 majit ai ia faturon mendësisë anti-koalicion të Edi Ramës.
“Partia Socialiste nuk ka atë sukses që duhet të kishte sepse e majta është e përçarë dhe
mendoj se kjo është një nga arsyet më të rëndësishme që Paria Socialiste duhet të reflektojë. Lidershipi i saj duhet të heqë dorë nga sjelljet radikale, pasi PS po shkon drejt një procesi që po i sjell humbje terreni në elektoral dhe automatikisht rrjedhje votash. “Jam duke bërë një vëzhgim për zgjedhjet në Shqipëri që nga viti 1997. Ka një impakt në rezultatet e partive politike që kanë sjellje radikale. Sa herë ka sjellje të tilla ka rrudhje elektorale. E njëjta gjë vlen edhe për Partinë Socialiste. Radikalizmi politik dhe mbizotërimi i frymës së përçarjes dhe përndjekjes së ‘mendimit ndryshe’ ka sjellë atë që e kemi parë të gjithë; dështime elektorale nga parlamentaret e 2009-ës, deri në 8 majin e freskët të 2011-ës”, u shpreh deputeti socialist Islami.
Kastriot Islami, Arben Malaj dhe Andis Harasani, janë tre deputetët socialistë që kanë nisur një fushatë emancipimi në Partinë Socialiste, për ndryshimin e metodikës politike të saj, rikthimin e besueshmërisë së votuesve socialistë si dhe largimin e frymës radikale. E gjithë kjo, përmblidhet në platformën “Malaj” si rruga më e mirë për modernizimin e Partisë Socialiste dhe rikthimin e saj në garat elektorale me seriozitetit, duke nxitur kështu rivalitetin politik dhe larmishmërinë e mirëqeverisjes.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›