“Mazhoranca dhe opozita të dialogojnë në parlament për 12 rekomandimet”
Ambasadori holandez, Van del Dool
Faktori ndërkombëtarë kërkon nga mazhoranca dhe opozita të ulen në një tryezë për zbatimin e 12 rekomandimeve që Bashkimi Europian i ka lënë si “detyrë shtëpie” Shqipërisë.
Ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Van Den Dool thekson se tashmë që kapitulli për kryebashkiakun e Tiranës është i mbyllur, lideri i mazhorancës Sali Berisha dhe ai i opozitës Edi Rama duhet të ulen në një tryezë për plotësimin e 12 kushteve të BE.
“Roli i ndërkombëtarëve në nxitjen e dialogut mes opozitës dhe mazhorancës është mbështetës. Unë di që vitin e kaluar nisi një tryezë mes partive politike, por që u la përgjysmë. Ne duam që kjo tryezë mes mazhorancës dhe opozitës të rifillojë sërish për 12 hapat e integrimit të BE. Raporti i ODIHR-it do të dalë në muajin shtator. Polarizimi politik ka bërë që të ngadalësohet integrimi në Bashkimin Europian”, vërejti Van Den Dool.
Nga rikthimi i opozitës në parlament në muajin shtator, ambasadori Van Den Dool pret nga dy partitë e mëdha që të ketë një konsensus për votimin e ligjeve, mes tyre edhe zgjedhjen e presidentit të Republikës në vitin 2012.
“Duhet që presidenti i ri të mos jetë një zgjedhje politike. Opinioni im është që presidenti të mos jetë politik. Zgjedhja e tij në vitin 2012 duhet të jetë me mazhoritet të madh dhe të përmbushë disa kritere”, tha Van Den Dool. Përsa i takon ndryshimeve kushtetuese të paralajmëruara nga opozita, ambasadori i Holandës në Tiranë kërkon që për këtë çështje duhet të vendosë një shumicë e madhe njerëzish.