E Diel, 1 Nëntor 2026

Grup pune për decentralizimin e pushtetit lokal në Tiranë – krerët socialistë zgjedhin kamikazllëkun e bojkotimit

30-07-2011 / Gazeta 55

Kryebashkiaku Basha mbledh krerët e minibashkive për të diskutuar projektin e decentralizimit të pushtetit vendor, por 4 të zgjedhurit e opozitës bojkotojnë, duke konfirmuar se u pëlqente zgjedha nën të cilën i kishte vendosur kryesocialisti Rama

Kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha fton krerët e 11 njësive bashkiake, për bashkëpunim të plotë të pushtetit vendor, në mënyrë që përmirësimi i shërbimit ndaj qytetarëve, të bëhet më cilësor dhe më i efektshëm. Basha drejtoi një apel publik ndaj 11 të zgjedhurve në minibashkitë e Tiranës se, pavarësisht ngjyrave të tyre politike, thelbësore do të mbetet bashkëpunimi i plotë, i gjithanshëm, pa asnjë dallim, mes Bashkisë së Tiranës dhe 11 minibashkive të saj. Gjithashtu Basha informoi krerët e minibashkive lidhur me projektin e tij për decentralizimin e pushtetit lokal, i cili nënkupton dhënien e më shumë kompetencave minibashkive, një premtim elektoral ky i Lulzim Bashës

Mbledhja e parë që ka zhvilluar Lulzim Basha me krerët e minibashkive të kryeqytetit, është bojkotuar nga 4 të zgjedhurit socialistë. Për kryebashkiakun e Tianës, Lulzim Basha, ngjyra politike e 4 anëtarëve të njësive bashkiake nuk do të ndikojnë aspak në punën dhe komunikimin e tij me ta. E për këtë arsye, Basha ka bërë thirrje që të jenë të pranishëm në takimin e ardhshëm, i cili do të zhvillohet një muaj më vonë. Këto takime do të vlejnë për të bashkëpunuar në dobi të komunitetit që i ka zgjedhur ata.
“Shpresoj që edhe katër kolegët që mungojnë sot do të na bashkëngjiten mbledhjen e ardhshme. Unë jam i vendosur për ta bazuar qeverisjen e Tiranës në një marrëdhënie të re respekti reciprok me të gjithë kryetarët e zgjedhur të minibashkive pavarësisht ngjyrave politike dhe nëpërmjet bashkëpunimit, tentimit të konsensusit në vendimmarrjen bazë, por edhe llogaridhënies. Në këtë kuadër dua të theksoj dhe njëherë vendosmërinë time, të bashkisë së Tiranës për gjithë përfshirje, për dhënie fund të çdo veprimtarie që mund të ngjasojë sado pak me beteja politike dhe për rikthimin e gjithë vëmendjes dhe energjisë sonë tek betejat e vërteta të pushtetit vendor, të bashkisë së Tiranës, të minibashkive të saj që janë, duhet dhe do të jenë, betejat e qytetarëve të Tiranës, betejat e tyre të përditshme, nevojat e tyre dhe kërkesat e tyre. Në këtë kuadër, roli juaj është shumë i rëndësishëm, pasi ju e njihni shumë mirë komunitetin që iu ka zgjedhur dhe në këtë kuadër mund të jepni kontributin tuaj maksimal për plotësimin e nevojave dhe kërkesave të këtij komuniteti. Dhe për këtë arsye unë jam i vendosur për një bashkëpunim të plotë, të gjithanshëm dhe konstant me secilin prej jush dhe me të gjithë ju së bashku. Pavarësisht prej ngjyrave politike që përfaqësoni, si kryetarë të zgjedhur të minibashkive të Tiranës, mesazhi kryesor që dua të jap sot është: bashkëpunim i plotë, i gjithanshëm, pa asnjë dallim, mes Bashkisë së Tiranës dhe 11 minibashkive të saj”, u shpreh Basha.
Kryebashkiaku i ri ka njohur kryetarët e njësive bashkiake lidhur me projektin e tij të decentralizimit të pushtetit lokal, reformë kjo që kërkon kontributin e çdo njërit prej tyre. Në këtë kuadër, kryebashkiaku Basha ka prezantuar dhe planin e tij për ngritjen e një grupi pune, për hartimin e një platforme për decentralizimin.
“Decentralizimi jo vetëm i autoritetit, kompetencave, por edhe i burimeve drejt minibashkive, është kryefjala e kësaj reforme, e cila do të kërkojë bashkëpunim të ngushtë me ju, do të kërkojë përvojën tuaj dhe do të kërkojë sigurisht gjithë përfshirjen e faktorëve, duke përfshirë këtu të gjitha forcat politike të përfaqësuara në qytetin e Tiranës. Shpresoj që brenda një kohe fare të shkurtër të ngremë një grup pune me përfaqësimin tuaj, me përfaqësimin e zërave më autoritative në fushën e decentralizimit, përfaqësues po kështu edhe të organeve përkatëse të qeverisjes qendrore, për të hartuar një platformë brenda në një kohe sa më të shkurtër, për decentralizimin, por edhe kontrollin e centralizuar të kompetencave të deleguara, si një garanci për suksesin e objektivave tona”, deklaroi kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Nga ana e tyre, kryetarët e minibashkive e vlerësuan vullnetin e mirë, për të ndarë përgjegjësitë në bashkëqeverisjen e qytetit. Ata kërkuan që të ketë një frymë kolegjiale, mbi ndasitë politike. Kryebashkiaku Lulzim Basha premtoi se takimet me krerët e njësive bashkiake do të jenë periodike dhe do të zhvillohen njëherë në muaj.                   
Leonard Quku

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›