E Diel, 1 Nëntor 2026

Kastriot Islami: S’do lejoj të trajtohem si në gjyq

TIRANE-Deputeti “rebel” i Partisë Socialiste, Kastriot Islami deklaroi dje se nuk do të lejojë që mbledhja e ditës së martë e grupit parlamentar, ku pritet të diskutohet propozimi i Edi Ramës për përjashtimin e tij, të shndërrohet “në një sallë gjyqi”. Në një prononcim telefonik për “Albanian Screen”, Islami tha se megjithatë ai ende nuk e ka vendosur pjesëmarrjen në këtë mbledhje. Ndërkohë që shtoi se për këtë çështje ka filluar kontaktet me kolegët e tij deputetë brenda Partisë Socialiste.
Në reagimin e tij për AS, Islami tha gjithashtu se nuk ishte njoftuar zyrtarisht nga kryesia për vendimin e marrë duke thënë me humor se e kishte mësuar lajmin nga “rrjedhja e informacionit të klasifikuar të Wikileaks”, sikundër e cilësoi. Në këtë mënyrë ai ka ironizuar “sekretin” që u tentua të mbahej i fshehtë nga anëtarët e kryesisë së PS-së, të cilët u porositën nga Rama për të mos folur për mediat lidhur me vendimet dhe asaj çka ishte diskutuar në mbledhjen me dyer të mbyllura. Sipas statutit të Partisë Socialiste është kryesia që ia propozon grupit parlamentar përjashtimin nga rradhët e saj të një deputeti. Do të jetë mbledhja e ditës së martë e grupit ku pritet të zyrtarizohet edhe propozimi i Ramës për çregjistrimin e Islamit. Propozimi i kryesocialistit pritet të gjejë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pasi një pjesë e tyre edhe më herët kanë kërkuar publikisht të merret kjo masë jo vetëm ndaj tij por edhe ndaj deputetit tjetër “rebel” brenda rradhëve të tyre, Andis Harasanit.

Në mbledhjen e dy ditëve më parë të kryesisë së PS-së, Rama e argumentoi propozimin për përjashtimin e Islamit tek mungesa e pajustifikuar sipas tij në seancës parlamentare të së enjtes së kaluar. Sipas kreut të PS-së nëse opozita do të ishte e gjitha në sallë dhe me qendrim të unifikuar nuk do të ishte miratuar kandidatura e Bujar Leskaj për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Por më shumë sesa kaq, duket se qëndrimet në kundërshtim me vijën zyrtare të partisë, që Islami ka mbajtuar në mënyrë sistematike pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, duket se janë në themel të kërkesës së Ramës për përjashtimin e tij.
Kundër deklarimit të prerë të Ramës për përjashtim të Islamit kanë reaguar Arben Malaj e Ben Blushi. Blushi ka kërkuar që të paktën, deputeti Islami të dëgjohet për arsyet që e detyruan të mungonte në seancë, duke e cilësuar të nxituar pozicionimin e kreut socialist Rama. Ai ka thënë gjithashtu se nuk mund të vendoset në kryesi dhe nga kryetari përjashtimi i deputetit, por kjo duhet kaluar në grupin parlamentar. Megjithatë Rama ka ngarkuar kreun e grupit, Gramoz Ruçi që të thërrasë në një “seancë dëgjimore” deputetin Islami për t’i dhënë mundësinë të sqarohet. Pritet që kjo të ndodhë ditën e martë.
Tahiri
Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste, njëherësh, nënkryetar i grupit të saj parlamantar, Saimir Tahiri e ka cilësuar “të vonuar” propozimin e Edi Ramës për përjashtimin e Kastriot Islamit. I ftuar në emisionin “Zonë e lirë” të gazetarit, Arian Çani, ai u shpreh dy ditë më parë se kjo duhej të kishte ndodhur më herët. Sipas Tahirit, Islami është vetëpërjashtuar nga grupi kuvendor i PS-së për shkak se theu vendimin politik për të marrë pjesë në votimin kundër kandidaturës së Bujar Leskajt të propozuar nga Presidenti, Bamir Topi, në funksionin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. “Nuk harxhoj as edhe një minutë kohë. Është thyer një vendim i grupit parlamentar. Ai është vetëpërjashtuar. Dhe nëse doni mendimin tim personal kjo duhet të kishte ndodhur më herët”, është shprehur shkurtimisht Tahiri.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Meta: Deputeti i PS i ka dyert e hapura

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›