Kastriot Tusha, me Urdhrin “Mjeshtër i madh”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi tenorin e mirënjohur Kastriot Tusha me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në kulturën dhe artin shqiptar, nëpërmjet interpretimit me mjeshtëri si këngëtar lirik në muzikën klasike e në artin muzikor popullor dhe për veprimtari të veçantë në përgatitjen e artistëve të rinj”. Me këtë rast, në ambientet e Amfiteatrit të qytetit të Durrësit u zhvillua mbrëmjen e së premtes ceremonia e dekorimit, në të cilën ishin të pranishëm zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, deputetë, autoritete shqiptare nga Mali i Zi dhe personalitete të tjera, artistë, kompozitorë, këngëtarë etj. Presidenti Topi, duke vlerësuar punën dhe cilësitë artistike të tenorit të mirënjohur, u shpreh: “Kastriot Tusha është një nga zërat më të bukur të muzikës shqiptare, një njeri, i cili gjatë karrierës së tij ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë që ka një diapazon të gjerë, një stil artistik”. Në Amfiteatrin e qytetit të Durrësit, Presidenti i Republikës, së bashku me të pranishmit dhe spektatorët e shumtë, ndoqën koncertin recital “Një mbrëmje romane”, me pjesë të përzgjedhura klasike dhe bashkëkohore, të interpretuara me mjeshtëri nga tenori Tusha. Gjatë koncertit interpretuan edhe artistë të njohur të muzikës shqiptare, të shoqëruar nga Orkestra e Filarmonisë së Re të Akademisë së Arteve.
19 Korrik 2010