E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, tërmetet tronditin vendin, nuk ka të lënduar



Një tërmet me magnitudë 5,1 ballë të shkallës Rihter u regjistrua dje në veriperëndim të ishullit Alonisos, në Sporades të Greqisë, njoftoi Instituti Gjeodinamik i Vëzhgimit. Pas tërmetit u bë e ditur se nuk ka pasur të lënduar apo dëme materiale edhe pse lëkundjet ishin të mëdha në atë zonë. Tërmeti u ndje kryesisht në arkipelagun e Sporades, në Magnesi dhe në ishullin Eube.
Epiqendra e tërmetit u lokalizua në det rreth 150 kilometra në verilindje të Athinës. Një tjetër tërmet me të njëjtin intensitet u regjistrua dje në mëngjes në veriperëndim të ishullit Kos. Edhe pas këtij tërmeti u bë e ditur se nuk pati viktima në njerëz. Banorët e këtyre vendeve janë shprehur të shqetësuar, pasi mendojnë se të tjera tërmete mund të tronditin zonën, por Instituti Gjeodinamik i Vëzhgimit ka thënë se nuk priten termete të tjera.

Italia, kryesuese e listës për vjedhje bankash

Italia mban numrin më të madh në Europë për vjedhjet në banka. Vitin e kaluar, sipas statistikave nga Unioni i Bankave, FIBA, në Itali ndodhën për nga numri, gati gjysma e vjedhjeve të bankave në vendet e BE-së. Vitin e kaluar pati 1744 vjedhje, kjo shifër është gjashtë herë më e lartë se në Gjermani dhe 20 herë më e madhe sesa në Britaninë e Madhe. Vjedhësit e bankave arritën të merrnin së bashku 47 milion dollarë. Megjithatë vjedhjet e bankave në Itali janë afera të vogla. Dy në tre vjedhje u sjellin mesatarisht autorëve të tyre më pak se 20 mijë dollarë dhe gjatë tyre përdoren më shumë raste thika, sesa armë zjarri. Në Itali papunësia është pranë nivelit 9 për qind dhe shpesh herë këto vjedhje bëhen edhe nga dëshpërimi.

Australia mban zgjedhjet e përkohshme më 21 gusht

Zgjedhjet e përkohshme në Australi do të mbahen më 21 gusht. Kështu ka bërë të ditur kryeministrja australiane, Julia Gillard, e cila po ashtu ka theksuar se çështjet kryesore kanë të bëjnë me imigracionin, ndryshimet e klimës dhe gjendjen e ekonomisë australiane. Sondazhet e fundit i kanë dhënë partisë laburiste të zonjës Gillard (e cila ka lindur më Uells) një avantazh ndaj opozitës konservatore. Julia Gillard mban postin e kryeministres prej më pak se një muaji që prej largimit të paraadhësit të saj Kevin Rud dhe tani përballet me luftën më të ashpër të karrierës së saj. Ajo i kërkoi elektoratit që t'i besonte asaj menaxhimin e ekonomisë dhe një fluks të kontrolluar azilkërkuesish që mbërrinin në ujërat e Australisë.

BE-ja ndëshkon Slloveninë për bujqësinë

Bashkimi Europian ka ndëshkuar Slloveninë për keqpërdorim të fondeve të parapara për zhvillimin rural. Në buxhetin e BE-së, Sllovenia duhet të kthejë 2.28 milionë euro, edhe pse autoritetet sllovene pohojnë se bëhet fjalë për një “gabim”. Ato thonë se shuma e përmendur tashmë është paguar. Shumën më të mëdha të parave për shkak të keqpërdorimeve duhet ta kthejë Britania e Madhe (223,765 milionë euro), ndërsa pasojnë Hungaria, Gjermania, Spanja, Danimarka, Sllovenia, Austria, Finlanda, Luksemburgu dhe Sllovakia. Komisioni Europian është i detyruar të vërtetojë se shumat e paguara, shpenzohen në mënyrë të drejtë.

19 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›