Qeveria nis procesin e privatizimeve, ministritë që kanë më shumë objekte
Qeveria ka nisur nga procesi i privatizimeve të të gjitha objekteve dhe aksioneve shtetërore, gjë e cila do të përfundojë brenda dy vjetëve. Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, e cila po merret direkt me këtë proces, ka hartuar dhe ka publikuar edhe listën e plotë të ndërmarrjeve apo aseteve që do të privatizohen, si dhe mënyrën se si do të bëhen ato. Ajo çka është e re në këtë fillim procesi është fakti që METE do t’i japë mundësinë të parëve pronarëve të trojeve ku janë ndërtuar objektet shtetërore që të kenë të drejtën e parablerjes me letra me vlerë (bono privatizimi). Këto të fundit duket se do të marrin një vlerë disi më të madhe në treg, ku deri tani vetëm sa janë zhvlerësuar me gjithë nisjen e procesit të legalizimeve të zonave informate, prej të cilit pritej rritja e vlerës së tyre. Nga ana tjetër METE duket e vendosur për të qenë sa më transparente dhe rigoroze në bërjen e këtij procesi, për të cilin ka publikuar dhe procedurat e privatizimit, dokumentet që kërkohen, si dhe vlerën dhe vendet ku ndodhen pronat shtetërore.
Objektet
METE ka publikuar listën e plotë të institucioneve të cilat do të privatizohen. Janë gjithsej 325 institucione të ndryshme të cilat do të privatizohen, por lista pritet të jetë edhe më e madhe pasi kësaj do t’i shtohen edhe objekte të tjera të pa përcaktuara mirë. Njoftimin për privatizimin e këtyre objekteve e dha disa muaj më parë, Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti, në një konferencë për shtyp, ku u njoftua gjithashtu se përparësi do të kenë ish-pronarët e tokave të cilat kanë të drejtën e parablerjes së objektit që privatizohet, por njëkohësisht ata kanë të drejtë dhe mundësi që 80 për qind të vlerës së objektit ta paguajnë me letra me vlerë ose bono privatizimi. Procesi i vlerësimit të pronave do të bëhet nga METE, ndërkohë ankandet e shitjeve do të realizohen nga Ministria e Financave. Kjo lidhet dhe me nevojën për para në buxhet të qeverisë, e cila po punon në mënyrë intensive për të shitur asetet publike. Ministri Dritan Prifti pohoi se “janë rreth 2 mijë pasuri publike që do të privatizohen dhe parashikohet që brenda këtij viti të përfundojnë privatizimet strategjike, siç janë ‘Albpetrol’, pjesa e mbetur e aksioneve në ‘Albtelekom’ apo ‘ARMO’, kompania e sigurimeve ‘INSIG’ etj”. Por në këtë listë janë edhe stadiumet sportive. Sipas ministrit, të drejtën e parablerjes do ta kenë pronarët e ligjshëm. Ndërkohë që pjesë e këtij procesi do të jetë edhe biznesi vendas. Pak muaj më parë kryeministri njoftoi shitjen e çdo pasurie publike, duke përjashtuar shkollat dhe spitalet. Nisma e qeverise u bë publike pas problemeve që po haste buxheti i shtetit në realizimin e të ardhurave publike. Ekspertët e ekonomisë janë në një mendim për këtë proces, që sipas tyre bëhet vetëm për të arkëtuar më shumë para në buxhet.
Vlerësimi i aseteve
Vlerësimi i aseteve të kompanive dhe ndërmarrjeve shtetërore është një proces tjetër mjaftë i rëndësishëm për qeverionë. Kreu i METE-s, Dritan Prifti, priti dje në kuadër të procesit të privatizimeve përfaqësuesit e “Patton Boggs Llp”, me të cilët ka nënshkruar edhe kontratën për bërjen e konsulencës financiare të kompanisë shtetërore “Albpetrol”. Kompania “Patton Boggs Llp” është caktuar të jetë konsulenti ndërkombëtar i qeverisë në procesin e privatizimit të “Albpetrol”-it, ku për një periudhë 6-mujore përcaktohet që të përfundojë procesi i vlerësimit të aseteve të kompanisë së njohur të naftës në vend. Sipas Priftit, në kontratë përcaktohet një afat prej gjashtë muajsh, gjatë të cilit “Patton Boggs Llp” duhet të përfundojë procesin e vlerësimit të kompanisë dhe marrjen e vendimit për mënyrën e privatizimit. “Patton Boggs Llp” ka përgjegjësinë e marketingut ndërkombëtar në procesin e privatizimit të kompanisë shtetërore të prodhimit të naftës, “Albpetrol”, ndërkohë që ka eksperiencë të mjaftueshme në sektorin hidrokarbur, pasi ka kryer konsulentin ndërkombëtar edhe për privatizimin e “ARMO”-s. Pas gjashtë muajsh duhet të përfundojë puna për vlerësimin dhe kompania “Albpetrol” duhet të dalë në një tender ndërkombëtar për shitje, për privatizim apo për ndonjë formë tjetër koncesionare.
Procedurat e privatizimit në METE
Në zbatim të programeve të privatizimit, për të gjitha fazat e realizimit të tij, për investitorët vendas dhe të huaj të interesuar për shoqëritë, ofron informacion dhe të dhëna lidhur me:
1. Politikat sektoriale për shoqëritë që privatizohen.
2. Strategjitë e privatizimit për shoqëritë e sektorëve strategjike.
3. Procedurat e nevojshme për të realizuar një proces privatizimi.
4. Kuadrin ligjor të nevojshëm për privatizimin e shoqërive të sektorëve strategjikë.
5. Memorandumin Informativ të shoqërive që privatizohen .
6. Fazën promovuese dhe të marketingut për privatizimin e shoqërive.
Në këtë pjesë janë disa shërbime që ofron sektori për personat fizikë, juridikë, private ose publikë.
1. Kërkon dhe jep informacione me institucione shtetërore për probleme të institucionit në veçanti dhe të ekonomisë në tërësi.
2. Kërkon dhe jep informacione me entet private për zgjidhjen e problemeve specifike ose të veçanta që paraqiten.
3. Përgatit përgjigjet dhe sqarimet e nevojshme, për letrat, kërkesë-ankesa të ndryshme që vijnë në Ministri nga qytetarë të ndryshëm apo persona juridik për problemet që dalin gjatë procesit të privatizimit.
4. Përgatit kushtet për kthimin e pronës të të interesuarit.
ǒfarë procedurash ndiqen për privatizimin e shoqërive në sektorët strategjikë?
Në zbatim të ligjit nr.8306, datë 14.03.1998, për çdo shoqëri të sektorëve strategjikë, përgatitet ligji specifik për shoqërinë që do të privatizohet (p.sh. Ligji nr. 8515, datë 21.7.1999. “Për privatizimin e shoqërisë anonime “Albanian Mobile Communications” (AMC), Ligji Nr.8810, datë 17.05.2001 "Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime "Albtelekom", Ligji nr. 8707, datë 24.01.2001, “Për privatizimin e shoqërisë anonime “Servcom”, Fier”, Ligji nr. 9073, datë 29.05.2003, “Për privatizimin e shoqërisë “Uzina Mekanike e Naftës” Sh.p.k, Kuçovë”, Ligji nr. 9117, datë 24.07.2003, “Për privatizimin e shoqërisë “Armo”Sh.A., Fier” etj.).
boc
Privatizimet, ish-pronarët të pakënaqur
Privatizimi i aseteve publike duket se nuk do të kënaqë pronarët, të cilët prej vitesh presin ose të kompensohen, ose të përfitojnë ndonjë pronë fizikisht. Me gjithë deklarimet zyrtare se, “pronarët do të jenë pjesë e privatizimeve që do të bëjë qeveria”, sërish ata janë të pakënaqur. Gjithashtu, ata kundërshtojnë qëndrimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe deklarojnë se, e drejta e parablerjes në shumë raste të privatizimit nuk ekziston. Sipas tyre, në privatizimet e shoqërive aksionere zotëruesit e trojeve jo vetëm që nuk kanë përfituar por përkundrazi po dëmtohen. "Ajo që tha ministri dhe që më tërhoqi vëmendjen është që pronarët kanë të drejtën e parablerjes. Unë dua t’i them ministrit që ndoshta nuk është informuar mirë, sepse nuk është e vërtetë kjo. Të drejtën e parablerjes pronarët e kanë vetëm për objektet e ish ndërmarrjeve, që nuk janë transformuar në shoqëri. Ndërsa në shoqëri ka një skemë komplet tjetër të privatizimit ku pronarët nuk kanë të drejtën e parablerjes dhe e drejta e parablerjes nuk ekziston",- thotë Myrshit Vorpsi, sekretar i Shoqatës "Pronësi me Drejtësi". Duke iu referuar listës me rreth 2000 objekte të shpallura për privatizim, ku pronarët kanë të drejtën e parablerjes, përsëri ish-pronarët kanë qëndrime kundërshtuese dhe shprehin rezerva. "E drejta e parablerjes është vetëm për një listë, që është akoma aty në ministri, ka dhjetë vjet që është po ajo listë dhe që nuk ndryshon asnjë gjë, sepse janë objekte që nuk i duhen kërkujt",- vijon Vorpsi.
19 Korrik 2010