E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi viziton SHBA-të, takim me zëvendëspresidentin, Bajden



Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi udhëton për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë vizitë të rëndësishme në vendin që përkrah fuqishëm pavarësinë e shtetit të ri, kryeministri kosovar do të takohet në Shtëpinë e Bardhë me zëvendëspresidentin Xhozef Bajden me të cilin pritet të zhvillohet një bisedë rreth zhvillimeve më të fundit dhe trazirave në pjesën veriore të vendit. Edhe më herët zyrtarë amerikanë janë shprehur kundër planeve serbe për autonomi të Mitrovicës dhe kanë dhënë mbështetjen e tyre të plotë për mosndryhimin e kufijve mes dy vendeve.
Axhenda
Sipas një njoftimi të zyrës së kryeministrit në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, kryeministri Thaçi do të ketë takime në Departamentin e Shtetit dhe në Kongresin e SHBA-ve, ndërsa do të pritet në takime të nivelit të lartë edhe nga udhëheqësit e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kohë më parë Kosova është bërë anëtare e këtyre organizmave ekonomike dhe për këtë arsye herë pas here diskutohet rreth problemeve që mund t’i dalin qeverisë në lidhje me fondet e ndryshme. Thaçi gjithashtu në Institutin e Paqes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të mbajë ligjëratë me temën ”Ndërtimi i të ardhmes euro-atlantike të Kosovës: Sfidat dhe mundësitë para nesh”.
Delegacioni
Në përbërje të delegacionit kosovar është edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, i cili pritet të marrë pjesë në mbledhjen e Bordit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që do të mbahet në Uashington, nga data 18 deri më 24 korrik 2010.
Në kuadër të kësaj vizite zyrtare në SHBA, ministri Shala do të jetë pjesë e takimeve të delegacionit kosovar në Departamentin e Shtetit dhe në Kongresin e SHBA-ve, ndërsa do të pritet në takime të nivelit të lartë edhe nga udhëheqësit e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Nuk është bërë e ditur nëse pjesë e këtij delegacioni do të jetë edhe ministrja e Administratës Publike, Edita Tahiri, e cila gjatë kësaj jave qëndroi në Uashington dhe Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

DEULEX-i, kërkesë Serbisë për kërkim profesional në varrezën masive

Autoritetet kosovare dhe ato të EULEX-it së shpejti do t’i kërkojnë Serbisë të hulumtojnë në mënyrë më profesionale zonën në Rashkë të Serbisë ku dyshohet se ka varrezë masive. Sipas zyrtarëve kosovarë së shpejti do të kontraktohet një kompani ndërkombëtare, e cila bën verifikimin e eshtrave në thellësi të tokës. Komisioni qeveritar i Kosovës për persona të pagjetur dhe ekspertët mjeko-ligjorë të EULEX-it janë të pakënaqur me mënyrën se si po bëhet hulumtimi i zonës së dyshuar për varrezë masive në Rashkë. Metoda me të cilën po bëhen inspektimi i vendit të dyshuar sipas autoriteteve kosovare dhe atyre të EULEX-it nuk është duke u bërë në mënyrë adekuate.

19 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›