Tranzicioni, një proces i pambyllur
Gëzim TUSHI
Sipas mendimit tim, paralelisht me ndryshimet ontologjike të periudhës së tranzicionit në ekonomi dhe politikë, duket se ka një “linjë paralele” që nuk është e vlerësuar si duhet, por që është thelbësisht e lidhur me të dhe që ka ndikime deterministe momentalisht në rezultanten përfundimtare të mbylljes së procesit. Kjo do të thotë se “fundi i tranzicionit” tani, pas përfundimit të komponentëve politikë dhe ekonomikë të saj, është njëherësh i integruar me disa detyra shtesë me karakter subjektiv; sociale, kulturore, edukative dhe qytetëruese. Këto komponentë ndihmës të tranzicionit në shoqërinë tonë, ose nuk u vlerësuan sa duhet, ose u lanë pas dore. Unë besoj se komponentët që duken në pamje të parë pjesa e elementëve subjektivë të tranzicionit kanë pasur efekte ngadalësuese në ritmet e procesit, duke e bërë atë proces të komplikuar, të zgjatur, kontraversal. Besoj se përvoja e tranzicionit në vendin tonë dhe përgjithësisht në të gjithë vendet ish-komuniste të Europës Lindore tregon një të vërtetë teorike të panjohur më parë, thelbi i së cilës është se kalimi nga socializmi në kapitalizëm, nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut, nga monopartitizmi në pluralizëm është një proces shumë kompleks, integral, gjithëpërfshirës.
Ndoshta, në këtë transformim historik dhe ndryshim radikal të bazave themelore të shoqërisë, përveç arsyeve objektive, kontradiktave të trashëguara dhe eksentrizmit të modelit komunist primitiv shqiptar, kanë ndikuar njëanshmëritë politike, euforitë infantile të klasës politike shqiptare, shikimet sempliste e deterministe të objektivave politikë dhe ekonomikë të tranzicionit që duheshin realizuar me çdo kusht për “ndërrimin e sistemit”. Mbi të gjitha, ka pasur ndikim neglizhimi i nevojës së ndryshimit paralel të faktorit subjektivë që ka lënë gjurmë evidente në nivelin aktual të performancës së tranzicionit shqiptar. Kjo është një mangësi konceptuale dhe kontekstuale, jo vetëm e klasës politike, por edhe e elitës intelektuale, që ka ndikuar në perceptimin e deformuar të tranzicionit edhe në opinionin publik. Ende sot nuk kemi analiza të plota të esencës dhe veçorive të tranzicionit shqiptar; Madje, as prognoza për këtë fazë përmbyllëse të saj si proces tërësor, sepse në shumë raste, standardi dhe paradigmat teorike të tranzicionit kanë qenë nën ndikimin e faktorit subjektiv që kanë ndikuar në perceptimin e deformuar të performancës së tranzicionit shqiptar.
Padyshim, nëse do të kthehemi mendërisht dy dekada më parë për të parë procesin nga “pika e nisjes” së rrugëtimit në segmentin e vështirë dhe të panjohur të procesit të lëvizjes në aksin e shoqërisë postkomuniste, për të mbërritur në finishin e shoqërisë së integruar demokratike, do të kuptojmë se përtej dëshirave të zjarrta, entuziazmit të papërmbajtur, dëshirës së njerëzve për të “shkurtuar” rrugën e tranzicionit, për të mbërritur sa më shpejt “fundin”, me sa më pak mundime e sforcime, me sa më pak kosto në pikën e përfundimit të tranzicionit politik, ekonomik dhe demokratik, nëpër këmbët tona ka qenë tradita e një shoqërie konservatore, ngurtësitë ideologjike, tendencat kaotike, mungesa e traditës së shoqërisë civile (e cilat tek ne, ndryshe nga vendet e tjera të lindjes, nuk ka ekzistuar fare) të cilat tranzicionin shqiptar e kanë bërë një paradigmë të vështirë, komplekse, të zgjatur dhe në shumë komponentë. Ky kompleksitet problemesh me të cilat është përballur tranzicioni ynë, tregon një nga specifikat që ka patur procesi jo vetëm tek ne, por edhe në vendet e tjera të rajonit tonë ballkanik, në të cilat gjithashtu tranzicioni ka qenë i vështirë, i komplikuar dhe specifik për shkak të origjinaliteteve gjeopolitike, veçorive të nivelit të zhvillimit social-ekonomik, që e kanë bërë shumë më të fortë se në vendet e tjera të Europës Lindore e Qendrore rezistencën ideologjike të mentalitetit të qëndrueshëm në stadin e post-komunizmit, e cila ka qenë një nga pengesat e mëdha në ritmet e tranzicionit demokratik. Lidhjet deformative me të kaluarën tonë kanë qenë një nga pengesat që e ka bërë tranzicionin shqiptar një proces specifik, të dallueshëm, të zgjatur, të vështirë, problematik.
Ndaj sot, kur rrekemi që të analizojmë këtë specifikë, të vlerësojmë ritmet e tranzicionit nga pikëpamja sasiore apo të bëjmë një vlerësim sintetik të paradigmës së tranzicionit tonë, doemos që na duhet që të mbështetemi pak në aksiologjinë e rrugës historike që kemi ndjekur në këto dy dekada. Me siguri, duke i parë ato me objektivitet, pa entuziazëm foshnjarak dhe dëshira utopike të fillimit të tij, do të kuptojmë sesa qesharake, të ngutura dhe jo realiste kanë qenë shpresat tona për “kohën e tranzicionit”, për kufijtë e saj, për ontologjinë dhe dialektikën e këtij procesi thelbësisht të panjohur të kthimit (apo transformimit të shoqërisë shqiptare) radikalisht nga komunizmi në demokraci. Mungesa e modelit, përvojës, padituria për dinamikën, devijimet nga standardi, dinakëritë dhe të papritura rajonale dhe sfidat e zhvillimit lokal të procesit, kanë qenë shkaqet e që kanë sjellë nga njëra anë veçoritë e paradigmës së tranzicionit shqiptar dhe nga ana tjetër një zhgënjim social masiv për kohëzgjatjen e tij, për pasojat e paparashikuara, për disa dukuri me intensitet dhe kurbë sociale negative, të paparashikuara nga filozofia, sociologjia dhe politika e tranzicionit shqiptar.
Diferenca midis realitetit imediat të zhvillimit të tranzicionit dhe pritshmërie utopike të fillimit është “kostoja” e vërtetë e zhgënjimit të shqiptarëve. Një pjesë e vogël e zhgënjimit është e lidhur më diferencën e pritmërisë nga proceset reale të zhvillimit të tranzicionit tonë. Pjesa tjetër është e lidhur me faktorin subjektiv; me ritmet kaofonike dhe frakturat politike që e kanë komplikuar tranzicionin tonë, e kanë bërë atë proces më të vështirë se norma dhe parashikimi, më të ndërlikuar nga që politika, si lokomotivë udhëheqëse e procesit të tranzicionit, ka pasur defektet e veta. Shpejtësia e zhvillimit të politikës shqiptare në rrugën e plotësimit të standardeve të demokracisë, ka qenë përcaktuese e nivelit të zhvillimit dhe ritmeve të realizimit të parametrave të tranzicionit demokratik.
Në mendimin teorik politologjik modern ka të përpunuara disa lloj testesh që dëshmojnë nivelin e pjekurisë apo fazën e zhvillimit apo të “mbylljes së tranzicionit”. Politologu amerikan, Laurenc Majer, në përpjekje për të bërë dallime të fazave të pjekurisë së tranzicionit post-komunist, përdor paradigmën teorike që sintetikisht flet shumë dhe që na ndihmon të kuptojmë se ku jemi dhe ku do të mbërrijmë. Sipas tij, dhe shumë autorëve të tjerë që merren me kalimin në demokraci, niveli i zhvillimit të tranzicionit dhe faza e pjekurisë së tij mund të matet me pranimin e demokracisë elektorale nga njëra anë dhe nivelin e konsolidimit të demokracisë në anën tjetër. Megjithatë, duke parë vështirësitë që ka vlerësimi i konsolidimit të demokracisë gjatë tranzicionit, e cila, gjithashtu është e vështirë edhe për ne, mua më duket se për të vlerësuar politikisht pjekurinë dhe stadin e zhvillimit të tranzicionit tonë, fare mirë mund të përdorim jo vetëm për qëllime teorike, por edhe utilitare, atë që Majer e quan “dy tipa konceptimi”, që shprehen me dy togfjalësha, siç është testi i “të vetmes lojë në qytet” dhe “testi i dy këmbimeve”.
Unë besoj se testin e parë të tranzicionit demokracia jonë e ka kapërcyer, dhe kjo është fitore me rëndësi definitive, sepse nga pikëpamja ekzistenciale, regjimi demokratik është i konsoliduar, është bërë “e vetmja lojë në qytet”, ka fituar shkallë të padyshimtë legjitimiteti politik tek të gjithë shqiptarët dhe ka pranim të gjerë popullor. Megjithë vërejtjet, mërzitë dhe pakënaqësitë që kanë shqiptarët, nuk e vënë më në dyshim, që demokracia është sistemi më i mirë politik i gjithë historisë së tyre të kohës moderne. Domethënë, nëse tranzicionin do ta shikojmë nga kjo optikë, unë mendoj se nuk ka pikë dyshimi që ne e kemi arritur atë moment që autorët Huan Linz dhe Alfred Stefani e konsiderojnë si pikë ku “demokracia bëhet e vetmja lojë në qytet”. Megjithë turbulencat e shumta, të forta dhe shumë herë eksentrike e kaotike që ka kaluar demokracia shqiptare në vitet 1997, 1998, dhe tani, në kushtet e krizës politike, pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2010, ajo që mund të themi me siguri, është fakti që palët politike në konflikt janë grindur për legjitimitetin e pushteteve rrotative, por kurrë nuk është bërë fjalë për të ndryshuar regjimin. Në këtë aspekt, duket se tranzicioni shqiptar politikisht e ka mbaruar detyrën e vet.
Por, nga ana tjetër, nuk mund të themi të njëjtën gjë për komponentin tjetër shumë të rëndësishëm, për pjekurinë e tranzicionit, apo për atë që në politologjinë e sotme modern njihet si “testi i dy këmbimeve” Sipas këtij testi, “…një demokraci quhet e konsoliduar, nëse, pasi ka ndodhur kalimi, pushteti zhvendoset paqësisht nga një parti apo grup udhëheqësish në një tjetër gjatë dy palë zgjedhjesh të veçanta”, - thotë L. Majer. Padyshim, problemet e kalimit paqësor të pushtetit në bazë të rezultatit elektoral, e kanë cenuar standardin e tranzicionit shqiptar, e kanë bërë atë shumë problematik gjatë gjithë periudhës së transformimit demokratik, duke mbërritur në derën e demokracisë sonë sot një nga krizat politike më të rënda, të vështira dhe të zgjatura siç është kriza e zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009. Tranzicioni mund të quhet i përfunduar në këtë shikim kur të mbërrijmë kohën që në politikën shqiptare të mos ketë kontestime serioze e fondamentale të legjitimitetit të zgjedhjeve dhe pranimit të rezultatit elektoral. Më saktë, ky test i përfundimit të tranzicionit është tregues i qartë i fazës së pjekurisë së demokracisë shqiptare që lidhet me momentin kur “kur rregullat e lojës demokratike bëhen më të rëndësishme se rezultati”. Politika shqiptare ende, edhe sot e gjithë ditën, nuk ka realizuar procesin e kalimit të pushtetit në mënyrë paqësore dhe pa konflikte në duart e një force politike, apo atë standard që konsiderohet si “test i Hantingtonit” dhe që është guri politik që dëshmon se tranzicioni politik është pjekur. Çdo parti shqiptare, kur është në pushtet, përpiqet të na mbushë mendjen se jemi fare afër përfundimit të tranzicionit dhe kur bien në opozitë e shikojnë finishin e saj si shumë të largët. Optikat e shikimit dhe vlerësimit të performancës së tranzicionit nuk kanë qenë dhe nuk janë ende të qarta, pikërisht nga “mirazhet e deformuara” dhe shkumëzimet e politikës që shpesh deformojnë realitetet imediate. Ato kanë reduktuar konceptin dhe perceptimin integral të periudhës së tranzicionit. Kjo situatë nuk e ka lejuar mendimin politologjik dhe sociologjik që, pa pasione dhe me objektivitet shkencor, të vlerësojë ecurinë inkrementaliste të tranzicionit shqiptar.
Ne, kur kemi menduar për tipologjinë e tranzicionit tonë, e kemi parë atë si standard teorik, si rrugë kalimi, si proces të ngjashëm dhe afërsisht në kohë, i realizuar në mënyrë të barabartë në të gjithë vendet ish-komuniste. Kjo, sepse ne nuk e kishim, as përvojën, as njohuritë e duhura, për të kuptuar lidhjen midis nivelit të zhvillimit me demokracinë dhe tranzicionin. Padyshim, duke mos mohuar ndikimin e faktorit subjektiv, nivelin e kulturës politike dhe aftësive subjektive të klasës politike për të udhëhequr në rrugën më të shkurtër tranzicionin, duket përtej tyre ka ca arsye që nuk lidhen domosdoshmërisht dhe vetëm me këta faktorë, nga që në këtë proces ka ndikim niveli i zhvillimit të trashëguar, i cili ka impakte themelore në procesin e tranzicionit drejt demokracisë. Madje, Frensis Fukuyama duke analizuar veçoritë e tranzicionit post-komunist dhe procesin e kalimit nga diktatura në demokraci, sjell të sintetizuar mendimin filozofik dhe politologjik të shumë autorëve të sintetizuar në idenë e vet se: “…niveli i zhvillimit ndikon jo vetëm në probabilitetin e tranzicionit drejt demokracisë, por edhe në atë të kthimit pas, drejt autoritarizmit”. (Francia Fukuyama, “Ndërtimi i shtetit”, f. 56) Kjo çështjë është në diskutim edhe tani kur shumë vende të Europës ish-komuniste e kanë kapërcyer atë.
Nuk ka dyshim që tranzicioni ynë ka pasur sëmundjet e veta, që nga rreziku evident i varfërimit social, deri tek mungesat evidente të një elite politike dhe administrative të formuar. Kostot ekonomike të tranzicionit në Shqipëri, shpesh kanë rritur pakënaqësinë qytetare ndaj politikës, politikanëve dhe demokracisë sepse kanë ata kanë pasur një perceptim që thelbësisht është i ndryshëm nga realiteti. Tranzicioni ka një ligj të përgjithshëm. Ai nuk mbyllet me sukses nëse gjatë rrugës prishet konsensusi i domosdoshëm i qeverive me qytetarët e vet…
19 Korrik 2010