Kastrioti – Apolonia, riluhet e përfolura

(ALBANIA SPORT) – Apolonia e Fierit, e mbërthyer ditët e fundit nga polemika të mëdha në lidhje me akuzat tashmë publike në adresë të katër lojtarëve (Albert Kaçi, Maringlen Shoshi, Erjon Hoti dhe Elton Grami), do të luajë në Krujë kundër Kastriotit, kundër një kundërshtari ndaj të cilit humbi fazën e parë 2-3 në “Loni Papuçiu” - një ndeshje që ndodhet në “black list” - e që provokoi edhe largimin e ish-trajnerit boshnjak Esad Karishik.
Pikërisht në këtë gjëndje të rënduar psikologjike në kampion bardhejeshil, Apolonia do të synojë të përballojë në Krujë një Kastriot mjaft të “egër” në shtëpi (10 ndeshje, 5 fitore, 2 barazime, 3 humbje).
Në ndeshjet e fundit, Apolonia humbi 2-0 me Flamurtarin në Vlorë, ndërsa Kastrioti u mposht 1-0 nga Besa në Kavajë, dhe tani pas 20 javësh dy ekipet ndodhen në të njëjtën kuotë pikësh, nga 25.
Në Krujë nuk kanë asnjë dyshim se do të fitojnë ndaj Apolonisë, nisur edhe nga kriza e përsëritur në rezultate e kundështarit nga Fieri, për më tepër që Kastrioti i bëri një “reshutim” të plotë skuadrës.
Ambicia e momentit të trajnerit të Kastriotit, Ramadan Ndreu, është fiksimi për të lenë poshtë në renditje Apoloninë dhe për të kapur mesin e artë të tabelës e për të shpresuar në një short më “shtëpiak” në fazën e tretë të Superligës.
Me ish-portierin e Kombëtares në portë, Ilion Likën, Djarmatin e Kalarin në qendër të mbrojtjes, Shametin e Buden në krahë, e me një “romb” aktiv në mesfushë: Turdiu, Gocaj, Jusufi e Arifaj, e një dyshe agresive në vijën e parë, Pema-Abazaj, Kastrioti shpreson të koleksionojë tri pikë të plota ndaj një kundështari që në nëntë ndeshjet e fundit ka grumbulluar vetëm 4 pikë.
Burimi: Albania-sport.comE Premte, 12 Shkurt 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili