E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamzës i mjafton goli i Ndrekës për të kaluar Flamurtarin

Nga Ilir CARA

Kamzalinjtë kanë treguar seriozitet në kupë, gjë e cila është shpërblyer me një fitore 1-0, që i rendit të parët në grup

Kamza e trajnerit Ernest Gjoka e ka nisur mjaft të bukur fazën e grupeve të Kupës së Shqipërisë, ku dje kamzalinjtë kanë mposhtur 1-0 në fushën e tyre Flamurtarin. Bluve u ka mjaftuar goli me kokë i Henri Ndrekës për të marrë fitoren e parë në grup. Ashtu siç ishte thënë, Kamza e kishte vlerësuar takimin e parë të kupës, pasi trajneri Gjoka pak kishte rezervuar për ndeshjen e kampionatit në fundjavë.

Ndërsa trajneri Lutaj e kishte më të theksuara rotacionin, duke u dhënë më shumë përparësi lojtarëve të stolit. Vlerësimi që i bënë këtij takimi kamzalinjtë i dha frytet e saj, gjë të cilën e vërteton fitorja me nënkampionët vlonjatë. Takimi nisi i qetë, por vendasit e gjejnë golin që në minutën e nëntë. Karapici nga këndi lëshon një top të bukur në zonë dhe lezhjani Ndreka kërcen mbi të gjithë dhe me kokë e dërgon topin në rrjetën e mbrojtur nga portieri Spaho.

Tri minuta më vonë Kamza ka mundësi dyfishimi, por gjuajtjen e Pemës e ndal shtylla pingule e portës. Në minutën e 21-të vlonjatët kanë një rast për gol. Veliu ekzekuton bukur një goditje standarde, topi përplaset në shtyllë, kthehet tek Brkiç, por ky i fundit me kokë gjuan lehtë dhe pret Bytyçi. Në minutat në vijim loja përqendrohet në mesfushë dhe rreziqet në portat respektive vijnë vetëm nga goditjet standarde.

1-0 përfundon pjesa e parë. Edhe pjesa e dytë nuk bën dallim nga e para, ku loja më shumë zhvillohet në mesfushë. Ndonëse të dy ekipet bëjnë ndryshme, ku trajneri Lutaj aktivizon titullarë si Lena dhe Hysa, goli i shënuar nga Ndreka mbeti në fuqi deri në përfundim të ndeshjes. Duke ditur se takimi tjetër i grupit Teuta-Pogradeci ka përfunduar 0-0, pas ndeshjeve të para në Grupin B, Kamza kryeson me pikë të plota, tre.

Thanë pas ndeshjes

Ernest Gjoka, trajner i Kamzës: Jam i kënaqur me këtë fitore, pasi arrihet ndaj Flamurtarit, që konsiderohet favorit kryesor i grupit. Kamza vijon të jetë e motivuar dhe pa dyshim ky takim do të na ndihmojë edhe për sfidën e fundjavës me Tomorin, ndonëse sot (dje) patëm disa mungesa.

Ekipi tregoi grintë ndaj Flamurtarit dhe kjo gjë do të kërkohet edhe në vijimësi. Ndaj vlonjatëve dominuam në përgjithësi, por ekipi mund të japë akoma më shumë, gjithsesi Kamza e meritoi fitoren dhe ky tripikësh ka shumë vlerë në këtë format të ri të kupës.

Edmond Lutaj, trajner i Flamurtarit: Patjetër që të gjitha ndeshjet janë të vështira, ku edhe faktori fushë bën të sajën. Bëmë një pjesë të parë të dobët, gabuam në markimin e kundërshtarit në rastin e golit. Gjithsesi, në pjesën e dytë reaguam mirë, ku duhet të shënonim një gol, sidomos nga goditjet standarde.

Morëm një rezultat negativ, që nuk e kishim parashikuar, por kemi kohë të rikuperojmë për të mos e vënë në diskutim kualifikimin. Kupa nuk është me një takim, kështu që na del për detyrë të shtrëngohemi në ndeshjet pasardhëse. Ndaj Kamzës mendova të lë disa lojtarë pushim, pasi në fundjavë kemi një ndeshje të vështirë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›