E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastrioti vulos sezonin e dështuar të Tiranës

Kampionati Krutanët fitojnë 1-0 në kryeqytet dhe zëvendësojnë tri pikët e hequra nga Disiplina

Faza e tretë e Kategorisë Superiore është hapur me fitoren surprizë të Kastriotit në fushën e Tiranës. Supergoli i shënuar nga kroati Matko Djarmati, me goditje dënimi në minutën e 13-të të lojës, i ka dhuruar skuadrës së drejtuar nga Ramazan Ndreu një triumf shumë të rëndësishëm në luftën për mbijetesë mes më të mirëve. Në këtë mënyrë, krutanët kanë rikuperuar në fushë tri pikët e hequra nga Disiplinori në klasifikim, pas braktisjes së ndeshjes me Flamurtarin, më 21 shkurt në Vlorë. Kastrioti rimerr vendin e tetë në renditje, por pikët e plota në një fushë shumë të vështirë si ajo e bardhebluve shërbejnë edhe për moralin e ekipit në dhjetë javët e mbetura të kampionatit. Me triumfin e djeshëm ata kanë vulosur edhe sezonin e dështuar të Tiranës. Pas eliminimit nga Kupa, tashmë 24-herë kampionët jo vetëm që mund të humbasin terren nga Besa e vendit të dytë, por rrezikojnë edhe vendin e tretë (“bileta” e fundit për kupat e Europës nga Superiorja), pasi Laçi duket gati të ngushtojë diferencën në vetëm një pikë. Bardheblutë e drejtuar nga Devi Muka janë shfaqur apatikë dhe të pafuqishëm për të reaguar përballë krutanëve. Në ndeshjen e fundit me dyer të mbyllura, problemet ishin të shumta: duke filluar nga ngathtësia dhe pasiguritë e shumta në mbrojtje, loja e lexueshme e mesfushës për të arritur te shterpësia e repartit ofensiv, që ka realizuar vetëm dy gola në pesë ndeshjet e fundit. Për t’u theksuar është fakti se falë lojës së organizuar dhe kundërsulmeve të shpejta, krutanët krijuan mundësi të mira për të regjistruar një fitore më të thellë. Por, mungesa e qetësisë në zonë dhe disa ndërhyrje të portierit Nallbani kanë evituar turpërimin e mëtejshëm të vendasve. Në tri përballjet e këtij edicioni ndërmjet Tiranës dhe Kastriotit, janë regjistruar po kaq rezultate të ndryshme. Sfida e parë në kryeqytet, e vlefshme për javën e 6-të, përfundoi në barazim 1-1. Në përballjen e javës së 12-të, Tirana fitoi 1-0 në Krujë me golin e Hajdarit, ndërsa tashmë Kastrioti kundërpërgjigjet, duke fituar 1-0 në shtëpinë e bardhebluve.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›