Vata: Unë, shërbëtori i futbollit shqiptar
Rudi Vata, kandidati për president i Federatës Shqiptare të Futbollit, flet për objektivat në prag të Asamblesë Zgjedhore të 9 marsit. Nëse fiton garën, ish-kapiteni kuqezi premton ndryshime radikale në sportin më popullor në vend, punë me hapa europianë, ndërsa ëndërron që t’i dhurojë Kombëtares kualifikimin në një eveniment madhor si kreu i “qeverisë” së top-këmbës.
çfarë premton Vata nëse zgjidhet president?
Ajo që unë premtoj është punë, përgjegjësi dhe sa më shumë profesionalizëm. Institucioni i FSHF-së do të jetë serioz dhe do t’i jap një formë sa më europiane këtij institucioni. Gjithashtu premtoj të kuroj të gjitha problemet e futbollit tonë, do t’i ndjek nga afër të gjitha fenomenet negative, do të ndërtoj një staf sa më të kualifikuar, me kulturë europiane, me njerëz që kanë punuar dhe kontribuuar për të ndërtuar një imazh sa më të mirë për Shqipërinë nëpër botë dhe duke kombinuar njerëzit me zemër të madhe dhe me vullnet, për të arritur diçka të mirë. Qëllimi është të hedhim themelet e para e të vërteta të futbollit shqiptar.
Keni shprehur pakënaqësi për votimin në Asamble, rreth votave të futbollit amator, pavarësisht se kështu ka funksionuar gjithmonë…
Ne kemi bërë një kërkesë dhe kemi shprehur pakënaqësitë tona tek UEFA dhe te MTKRS. Ka ende pak ditë kohë, përpara finales së madhe më 9 mars. Por, nuk është normale që gara në një vend si Shqipëria të zhvillohet në kushte të tilla. E kam të qartë se kjo strategji është krijuar me një qëllim të caktuar nga segmentet që punojnë pranë presidentit aktual të FSHF-së, me qëllim që ai të fitojë medoemos. E kuptoj që presidenti aktual nuk e kupton si funksionon loja e futbollit dhe ka një frikë të tmerrshme se do t’i humbasë këto zgjedhje. Kur një njeri punon keq dhe nuk ka mbështetjen e opinionit të gjerë, është e kuptueshme që ndihet nën presion. Ai tani ka përballë një njeri serioz, të ndershëm, profesionist dhe të drejtë si Rudi Vata dhe këtij fakti i druhet. Jam qytetari shqiptar që e dua me zemër vendin tim dhe dua vetëm përparimin. Nëse më ka mbetur një peng si lojtar dhe kapiten i Kombëtares, është mospjesëmarrja në një aktivitet madhor si Europiani apo Botërori. Rudi Vata ëndërron dhe shpreson që me punën serioze dhe profesionale të arrijë ta kualifikojë Shqipërinë në një prej këtyre aktiviteteve si drejtues i federatës.
A ka mundësi të tërhiqeni nga gara?
Në momentin kur e thashë, mendova se po bëhej një padrejtësi. Mendoj që mundësia ekziston, megjithatë deri në momentin final do të shqyrtoj rrjedhën e ngjarjeve. Pra ekziston edhe mundësia e tërheqjes nga gara, nëse këto padrejtësi nuk do të riparohen.
Sa siguri keni se do të jeni presidenti i ardhshëm i FSHF-së?
Mendoj se njerëzit duhet të orientohen nga e mira, pasi e mira dhe e keqja janë lehtësisht të dallueshme. Jam i sigurt që njerëzit që vërtet duan ndryshimin e futbollit shqiptar, duan që ai të ecë përpara, që e ardhmja e gjeneratave të reja të jetë në duar të sigurta, që duan drejtësi, ndershmëri. Njerëzit që duan ta shohin Kombëtaren një ditë në një eveniment madhor, mendoj se duhet të votojnë për të mirën, pra për Rudi Vatën. E kuptoj shumë mirë që dikush duhet të fitojë dhe dikush duhet të humbasë, nuk është e domosdoshme që unë duhet të fitoj. Jam i sigurt që unë jam personi i duhur për të bërë më të mirën në futbollin tonë.
Me “e keqja” i referoheni z.Duka?
Përderisa në futbollin shqiptar kemi shumë fenomene negative dhe ky sport është në kaos, mendoj se përgjegjësia më e madhe i takon zotit Duka si drejtuesi kryesor i institucionit të futbollit. Jam i sigurt që ai është personi jo i duhur për drejtimin e FSHF-së.
Si do të jetë bashkëpunimi me kandidatin tjetër, z.Halili?
Për sa i takon zotit Halili, jam i sigurt se ai është një person që ka shpirtin e ndërtimit. Me aq sa e njoh, ka një zemër të mirë dhe një burrë me zemër të madhe është një burrë i mirë. Jam i sigurt se nëse Halili do të zgjidhet, ai do të punojë mirë për futbollin shqiptar.
çfarë duhet të ndryshojë në futbollin shqiptar?
Do të bashkëpunoj me të gjithë drejtuesit e klubeve apo të bashkive, për të krijuar kushte sa më të mira në infrastrukturë. Ky duhet të jetë prioriteti i punës sonë. Duhet të ndërtoj marrëdhënie sa më të mira të federatës me shtetin dhe pushtetin lokal. Përmirësimi vjen nëpërmjet bashkëpunimit të këtyre faktorëve. Do të punohet me ndershmëri që fondet e FIFA-s apo UEFA-s të shpërndahen në mënyrë të barabartë mes klubeve të të gjitha kategorive, sipas kontributeve që kanë. Do të krijohet një klimë pune normale për të kthyer besimin e tifozëve. Ata kanë qenë të pranishëm në futboll edhe kur nuk kanë pasur bukë të hanin, pasi loja ka qenë e pastër dhe e ndershme. Futbolli nuk duhet të jetë një lojë e trukuar dhe e fiksuar. Gradualisht do të vijë edhe përmirësimi, do të kthehet futbolli i shëndoshë, e që të gjithë duan ta luajnë.
Gjithsesi, gjatë këtyre viteve është punuar në infrastrukturë...
Jam i sigurt për këtë, por unë flas të punojmë me hapa europianë, të bëjmë punë me hapa të mëdhenj. është e pamundur që në tetë vite punë të mos ndërtosh diçka të re, por problemi është se është punuar me hapa të vegjël dhe me drejtuesit aktualë është e pamundur të ndërtosh gjëra të mëdha. Shembulli i infrastrukturës në Shqipëri është gjendja e stadiumit “Qemal Stafa”, që mediat britanike e cilësuan një fushë balte, një fushë patatesh, një fushë lopësh. Nëse do të justifikohemi se ky nuk është faji i federatës, atëherë duhet të themi që FSHF ka faj që na përball me këta kundërshtarë dhe na bën gazin e botës. Kjo duhet riparuar.
Projektet e federatës ekzistojnë, por ajo që mungon është vëmendja nga shteti për sportin. Besoni se kjo do të ndryshojë nëse ju do të vendoseni në krye të FSHF-së?
Unë do t’i lutem shtetit tim të më ndihmojë për të mirën e ngritjes së imazhit të Shqipërisë. Do të jem një shërbëtor i futbollit, dhe jo një diktator i tij. Do të arrij të bind të gjitha organet drejtuese, për të bërë diçka kaq të rëndësishme, siç është ndërtimi i një stadiumi modern. Nuk është faji i sportdashësve dhe i shqiptarëve që federata ka pasur marrëdhënie të këqija me shtetin. Shteti është tepër i rëndësishëm në punën time dhe pa të jam i sigurt që do të jem i pafuqishëm.
çfarë përfaqëson Asambleja e 9 marsit për ju?
Unë kthehem në Shqipëri për të sakrifikuar, për të realizuar diçka të madhe për futbollin e vendit tim. Nuk kthehem për interesa personale. Nëse do të ndihem i nevojshëm, do t’i shërbej futbollit shqiptar. Nëse nuk do të votohem, do të vazhdoj jetën time të qetë, dhe gjithmonë do të qëndroj pranë këtij sporti. Kam energji dhe ide të mjaftueshme dhe do të jem gjithmonë i gatshëm të jap kontributin tim: Shqipëria sigurisht që ka nevojë për Rudi Vatën dhe për futbollistë të tjerë si unë.
#