E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastro rikthehet në Parlament pas 4 vitesh mungesë

Fjalimi

Ish-udhëheqësi kuban, Fidel Kastro, mbajti fjalimin e tij të parë në Asamblenë Kombëtare që kur u largua nga pushteti për arsye mjekësore katër vjet më parë. Fidel Kastro thirri një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar të ashtuquajturat plane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të sulmuar Iranin e Korenë e Veriut, si dhe për luftën bërthamore. Lideri kuban 84-vjeçar është bërë më aktiv muajt e fundit, duke dhënë intervista dhe duke folur me grupe të ndryshme. Në fjalimet e kohëve të fundit, Kastro ka folur kundër kërcënimit të luftës me armë bërthamore. Ditën e martë ai i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë për paqe Presidentit amerikan Barack Obama: “Ju duhet ta dini se keni në dorë t'i ofroni njerëzimit mundësinë e vetme realiste për paqe”, tha ai. Por një ministër i qeverisë kubane, Abel Prieto, tha se Fidel Kastro nuk ka në plan të rikthehet në qeveri. Para disa ditësh udhëheqësi i revolucionit kuban botoi edhe një libër të ri me kujtimet e tij. Libri titullohet “Fitorja strategjike” dhe flet për jetën e tij dhe luftën guerile. Kuba festoi edhe përvjetorin e sulmit në kazermën ushtarake në Moncada në vitin 1953, përpjekja e parë për të nisur revolucionin. Ai sulm vërtet dështoi, por është pjesë e rëndësishme e legjendës së Kastros.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›