E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katari kërkon ndërhyrjen e arabëve në Siri

Emiri i Katarit, Sheik Hamad bin Khalifa Al-Thani, tha se vendet arabe do të duhej të intervenonin në Siri, për ta ndalur konfliktin e përgjakshëm atje.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Al-Thani, që është mbështetës kryesor i opozitës në Siri, tha se shtetet arabe do të duhej të intervenonin në Siri, për shkak “të obligimeve të tyre humanitare, politike dhe ushtarake”.

Emiri i Katarit theksoi se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dështuar në arritjen e një pozicioni efektiv për mënyrën e zgjidhjes së konfliktit në Siri.

Ai ka cituar precedentin kur forcat arabe ishin dërguar për ndaljen e Luftës Civile në Liban, në vitet e 70-ta.

Në anën tjetër, ministri i Informatave i Sirisë, Omran al-Zohbi, tha se nuk ka viktima nga dy shpërthimet e fuqishme të bombave, afër selisë së shtabit të ushtrisë në Damask, të cilat ndodhën të mërkurën në mëngjes.

Ky ministër tha se “terroristët e armatosur”, referencë të cilën zyrtarët e Sirisë e përdorin për kryengritësit, që luftojnë kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad, ishin në hapësirën ku kanë ndodhur shpërthimet.

Nga eksplodimi është shkaktuar zjarr në sheshin kryesor të Damaskut, ku gjenden disa ndërtesa qeveritare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›