LDK e quan PDK-në filiale të veten

Faik Grainca, nënkryetar i parë i LDK-së, ka thënë se Meda edhe më parë ka bërë shumë fiskultura, duke kaluar nga LDK-ja në ORA dhe më pas. pas falimentimit të saj, sipas një marrëveshje mes dy partive, është rikthyer në LDK madje edhe si nënkryetar i tretë.
Grainca ka thënë se PDK-ja nuk është asgjë tjetër veçse një filial i LDK-së, pasi 90 për qind e udhëheqësve të kësaj partie kanë qenë pjesë e LDK-së, ndërsa tani përmes presioneve dhe ofrimit të favoreve po marrin nga partia e tij, njerëz me karakter labil, që ndërrojnë ngjyrat për një karamele apo një vend pune.
"Këto po bëhen për të krijuar zhurmë për opinion dhe për të larguar vëmendjen nga problemet që kanë qytetarët. Gjendje e rëndë është në ekonomi, shëndetësi, arsim. Nuk na shqetëson largimi i tij, sepse edhe më parë ka dhënë indikacione se do të largohet, por arsyetimet e tija janë banale", ka thënë Grainca, duke parafrazuar vargjet e poetit Fan Noli: "Dhe Medaini/faqe ndërron/dje shante/sot lavdon". Ndërsa është ndalur në kritikat që Hashani i ka bërë për partinë në pushtet, së cilës tashmë i është bashkuar.
I pyetur për ate që Hashani ka apostrofuar kreun e LDK-së, Isa Mustafa dhe atë të degës, Adem Salihaj, për qasje jo të mirë ndaj anëtarësisë dhe ngufatjen që po bëjnë përbrenda partisë, Grainca ka thënë se kryesia e LDK-së është me 40 anëtarë dhe është e pa munduar të ketë një homogjenitet përbrenda saj, ndaj vendimet merren me shumicë votash, duke e quajtur këto procese të natyrshme.
Grainca ka thënë se nuk frikësohen nga ikjet e mundshme, pasi Hashani ka deklaruar se është lokomotiva së cilës do t'i bashkohen edhe vagonë tjerë nga stacioni i LDK-së dhe që të gjithë do të zbarkojnë në taborrin e PDK-së.