E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katari, premtime të fuqishme për njohje të reja

PRISHTINË- Gjatë vizitës zyrtare në Katar, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, është pritur sot nga Ministri i Shtetit për Punë të Jashtme të Katarit, Khalid Bin Mohammad Al Attiyah, i cili e ka përgëzuar për njohjen e radhës që Kosova ka marrë nga Kuvajti.
Ai ka bërë të ditur se Emiri i Katarit ka kërkuar nga dy presidentë të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.
“Ne çdo ditë do të shtrijmë ndikimin tonë tek shtetet që ende nuk e kanë marrë një vendim të tillë. Me Ministrin Hoxhaj u morëm vesh që shumë shpejt të përpilojmë një plan të veprimit të përbashkët dhe besoj se shumë shpejt Kosovën do ta njohin edhe shtete tjera”, ka thënë Ministri i Shtetit për Punë të Jashtme të Katarit.

Khalid Bin Mohammad Al Attiyah theksoi po ashtu interesimin e përbashkët për mundësitë e investimeve të Katarit në Kosovë. “Shumë shpejt do të fokusohemi në tri fusha të bashkëpunimit ekonomik dhe në këto fusha Katari do të bëjë investime të fuqishme”, tha ai.
Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj falënderoi Katarin për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës. Ai theksoi se Katari është duke ndihmuar fuqishëm Kosovën edhe te disa shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›