Ronaldinjo show, Brazili triumfon ndaj Meksikës
TIRANE-Ronaldinjo është rikthyer të japë spektakël me fanelën e kombëtares braziliane. Ndeshja miqësore ndaj Meksikës ka qenë një spektakël i ish-fantazistit të Milanit, që në fund ka rezultuar deciziv në fitoren 2-1 të skuadrës së Mano Menezes. Meksikanët kaluan në avantazh në minutën e 10-të, pas një autogoli të Luiz. Në fundin e pjesës së parë brazilianët mbetën me 10 vetë për shkak të kartonit të kuq të marrë nga Dani Alvesh. Meksika pati shansin të dyfishonte shifrat, por portieri brazilian Xheferson priti goditjen e Andres Guardado. Në minutën e 79-të, Ronaldinjo barazoi shifrat, ndërsa 5 minuta më pas Marselo realizoi golin e dytë për Seleçaon. Për Meksikën kjo ishte humbja e parë në 15 ndeshje nën drejtimin e Hoze Manuel de la Torre.
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)