Kategoria I Bylis e nis vitin 2010 me arratisje
Shkurt
Bylisi e ka nisur vitin 2010 në “arrati”. Kategoria e Parë ka zbritur në fushë pas pushimeve dimërore dhe skuadra ballshiote e filloi pikërisht aty ku ishte ndalur: me fitore. Ata kanë mposhtur 3-1 në shtëpi Memaliajn, tri pikë me të cilat rrisin distancën nga dy ndjekëset më të afërta, Lushnja dhe Elbasani. Në këtë shkëputje, në ndihmë të Bylisit kanë ardhur rezultatet e ekipeve që mbajnë vendin e dytë: Lushnja humbi 1-0 në fushën e Luftëtarit, ndërsa Elbasani u mposht 3-2 në Lezhë nga Besëlidhja. Një tjetër ndeshje interesante ishte ajo që u luajt në Velipojë, ndërmjet Adës dhe Kamzës, dy skuadra që synojnë të kapin zonën “play-off”. Ada fitoi me rezultatin e pastër 2-0, duke konsoliduar pozitat në vendin e katërt. Tri pikë të rëndësishme arriti edhe Pogradeci në fushën e Turbinës, një fitore që i lejon liqenorët të mbajnë ritmin në garën për një “biletë” në Superiore.
#