E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, një shëtitje drejt titullit

Blutë mposhtin 3-0 Skënderbeun. Tirana merr tri pikë mes vuajtjeve në Durrës
Dinamo ka kryer formalitetin, duke fituar 3-0 përballë Skënderbeut. Prej fillimit të kësaj sfide, korçarët nuk konsideroheshin si një pengesë e vështirë për skuadrën e drejtuar nga Shkëlqim Muça, që gjithsesi duhej t’i ruhej euforisë pas triumfit në derbi. Blutë nuk kanë zhgënjyer dhe në “Qemal Stafa” kanë mposhtur me sforcon minimale skuadrën që mbyll klasifikimin në Superiore. Mesfushori Gentian Muça, që së fundmi ka hyrë edhe në orbitën e Kombëtares dhe vlerësohet nga trajneri Josip Kuzhe, hapi serinë e golave, kur kronometri tregonte vetëm 11 minuta lojë. Takimi është mbyllur virtualisht në të 20-n, kur Malakarne ka dyfishuar shifrat. Golat e shpejtë kanë ndikuar dukshëm në lojën e Dinamos: kryeqytetasit janë kufizuar shumë në manovrat e tyre dhe kanë menduar më shumë të ruajnë energjitë për javët në vazhdim. Por, megjithëse minutat kanë vazhduar pa grintë, vendasit janë detyruar ta mbyllin lojën me 10 futbollistë, pas largimit nga fusha të mbrojtësit Diop, në të 54-n. Edhe pse në inferioritet numerik, të besuarit e trajnerit Muça kanë shënuar një tjetër gol. Rezultati final i ndeshjes, që më së shumti i ngjasonte një shëtitjeje, është vulosur nga Emiliano Vila. Mesfushori i përfaqësueses kuqezi, i afruar gjatë merkatos së janarit në formë huazimi nga Dinamo e Zagrebit, ka realizuar rrjetën e parë me blutë. Me këtë fitore Dinamo vazhdon marshimin e sigurt drejt titullit: tashmë ata janë ngjitur në kuotën e 48 pikëve në 19 javë (mesatare mbi 2.5 pikë në ndeshje) dhe distancohen me 15 pikë nga Besa e vendit të dytë, që do të luajë sot në fushën e Apolonisë (kavajasit kanë edhe ndeshjen me Flamurtarin për të rikuperuar).Pas figurës së shëmtuar në derbi, Tirana gjen pak stabilitet dhe me fiton 1-0 në Durrës përballë Teutës, me trajnerin Alban Tafaj që e ka ndjekur sfidën nga tribuna. Goli, që i ka dhënë tri pikët bardhebluve, është shënuar nga blerja më e re e skuadrës, Sebino Plaku në minutën e 37. Ish-sulmuesi i Dinamos ka shfrytëzuar më së miri një harkim të Muzakës, duke e dërguar topin në rrjetë. Megjithatë, nervozizmi në radhët e 24 herë kampionëve nuk është larguar plotësisht: kjo është dukur në minutën e 49, kur Andi Lila është larguar nga fusha me karton të kuq. Mbrojtësi nuk e ka pranuar vendimin e gjyqtarit Peza, madje ka debatuar ashpër me “bilbilin” për disa minuta. Durrsakët kërkuan të përfitojnë nga superioriteti numerik, por pavarësisht rasteve të shumta, ata nuk arritën të barazojnë. Në takimin e fundit të luajtur të shtunën, Kastrioti ka fituar 1-0 përballë Gramozit. Goli vendimtar për krutanët u realizua nga mbrojtësi Shameti, në minutën e 40. Me këto tri pikë skuadra e Ndreut ngjitet në vendin e shtatë, në kuotë të barabartë pikësh me Apoloninë, por me golavarazh më të keq.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›