Cani e Bunjaku, golat shqiptarë në Europë
Legjionarët
Albert Bunjaku dhe Edgar Cani janë bërë protagonistë në ndeshjet e së shtunës me skuadrat e tyre. Bunjaku, sulmuesi nga Kosova me pasaportë austriake, ka realizuar tre gola në sfidën që Nurenbergu ka fituar me rezultatin 3-1 në fushën e Hanoverit, të vlefshme për javën e 20 të Bundesligës gjermane. 26-vjeçari ka hapur serinë e golave në minutën e 30, ndërsa pjesa e parë e lojës u mbyll me rezultatin 1-0. Në fraksionin e dytë, Bunjaku shënoi edhe në minutat 64 dhe 69, ndërsa në të 65-n Shtajner kishte ngushtuar diferencën për vendasit. Fundjavë e jashtëzakonshme edhe për Edgar Canin: vetëm pak orë pas transferimit te Piaçenca, sulmuesi shqiptar ka treguar të gjithë kualitetin në transfertën e vështirë me Triestinën. Pas avantazhit fillestar të vendasve me Kotafavën, ka nisur “Cani show”, që realizoi dy gola në minutat 55 dhe 64. Miqtë fituan 3-1, ndërsa goli i fundit u realizua nga Moskardeli.
#