E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon telenovela, Apeli lë të lirë rebelët e Skënderbeut

Vendimi
Anëtarët e rinj të komisionit kanë vendosur uljen e dënimit edhe për klubin Flamurtari

Komisioni i Apelit ka dhënë vendimin përfundimtar për çështjen më të diskutuar të javëve të fundit: prishjen e kontratës së katër lojtarëve të Skënderbeut me klubin korçar. Vetëm pak orë pas emërimit nga Ekzekutivi si anëtarë të këtij komisioni, Alban Mësonjësi (kryetar), Fatmir Leli dhe Ardian Haçi vendosën që Blendi Shkëmbi, Genti Gjondeda, Antonio Rukavina e Matko Djamanti të jenë futbollistë të lirë. Pasi milituan në radhët e bardhekuqve gjatë pjesës së parë të sezonit, lojtarët kërkuan prishjen e kontratave me klubin, për shkak të parregullsive në pagesa. Por, çështja u shndërrua në një telenovelë, në momentin kur kryetari i mëparshëm i Apelit, avokati Bujar Musta në mënyrë të pakuptimtë dhe pa marrë parasysh mendimet e dy anëtarëve të tjerë, vendosi që lojtarët duhet të qëndrojnë në skuadrën korçare. Debatet e ashpra që shoqëruan mbledhjen e datës 22 janar dhe mungesat e mëpasshme të Mustës, detyruan organin më të lartë vendimmarrës në Federatën Shqiptare të Futbollit që të shkarkonte komisionin e mëparshëm. Vendimi i djeshëm i hap rrugë Shkëmbit që më në fund të bashkohet me Besën (fantazisti pritet të jetë sot në fushë në sfidën kundër Apolonisë), ndërsa Gjondeda do të luajë me Kastriotin.
Në mbledhjen e tyre të parë, anëtarët e rinj të Apelit kanë vendosur të “zbusin” dënimin për klubin Flamurtari. Për hyrjen në fushë të personave të paautorizuar, të cilët ndikuan në vendimet e gjyqtarit të ndeshjes që vlonjatët fituan gjatë fundjavës së kaluar me Besën, kuqezinjtë u penalizuan me dy ndeshje pa praninë e tifozëve nga Disiplina dhe u gjobitën me 100 mijë lekë të reja. Sipas vendimit të ri, Flamurtari do të luajë vetëm një ndeshje me dyer të mbyllura.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›