Kategoria e Parë, fiton Kamza, barazon Lushnja

www.albania-sport.com - Kamza arriti një fitore të çmuar në Bilisht në javën e 25-të Kategorisë së Parë, duke koleksionuar tri pikë të artë në triumfin 2-1 ndaj vendasve, që nga ana e tyre regjistruan humbjen e pestë radhazi. Xhenald Rada dhe Klevis Dalipi ishin autorët e suksesit të 5-të transfertë të formacionit të Perlat Mustës, ndërkohë që për devollinjtë e Spartak Merakut shënoi Enea Demiri. Kamza u ngjit në kuotën e 47 pikëve, dy më shumë se Partizani i vendit të pestë, por të kuqtë kanë për të zhvilluar të martën ndeshjen me Elbasanin e vendit të dytë.
Bylisi konfirmoi rolin e “padronit” absolut të Kategorisë së Parë, duke dominuar 2-0 ndaj Turbinës së Cërrikut, falë golave të Stojkut dhe Popoviçit. Bylisi, 63 pikë, regjistroi fitoren e 13-të në po aq ndeshje të zhvilluara në shtëpi (100 për qind të pikëve), dhe kur kanë mbetur edhe pesë javë për tu luajtur ndodhet vetëm një fitore larg titullit nga pikëpamja matematikore.
Lushnja hodhi një tjetër hap fals në transfertë, kur pas barazimit 0-0 me Burrelin dy javë më parë, po me ketë rezultat barazoi në Gramsh.
Luftëtari dhe Besëlidhja nuk shkuan më shumë se barazimi pa gola në Gjirokastër, në një ndeshje të përshkuar edhe nga një situatë tensioni midis lojtarëve, që kulmoi me largimin me karton të kuq të portierit të lezhjanëve, Bledar Dura.
Burreli nuk e fali Memaliajn në shtëpi, duke fituar 1-0 me golin e kapitenit Dritan Gjoka nga pika e bardhë në minutën e 32-të. Sopoti i Librazhdit fitoi 1-0 me Adën e Velipojës, që pas kësaj humbjeje, e 10-ta në transfertë, i dha fund ëndrrës për një vend në katërshen më të mirë të së Parës.
Skrapari, pas humbjes 4-3 në Gjirokastër një javë më parë, fitoi 2-1 me Pogradecin në shtëpi. Hasa dhe Turtulli (11-m) realizuan për skuadrën e Edmond Dalipit. Çekiçi shënoi golin e flamurit për Pogradecin.
Të martën, në kryeqytet do të zhvillohet edhe supersfida e kësaj jave, ajo midis Partizanit dhe Elbasanit. Të kuqtë e Gerti Haxhiut (8F, 2B, 1H në shtëpi) synojnë fitoren e radhës ndaj verdhebluve të Krenar Alimehmetit (4F, 3B, 5H në transfetë). Partizani ka grumbulluar 45 pikë në këto 24 javë, kundrejt 49 pikëve të Elbasanit.
KATEGORIA E PARË
JAVA 25
10.04.2010, 15:00
Bilishti-Kamza 1-2
Skrapari-Pogradeci 2-1
Luftëtari-Besëlidhja 0-0
Gramshi-Lushnja 0-0
Sopoti-Ada 1-0
Burreli-Memaliaj 1-0
Bylis-Turbina 2-0
Të martën, 13.04.2010
Partizani-Elbasani
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Shtune, 10 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili