E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset agjenti, në pranga një i shumëkërkuar

Ilir Paja bie në prangat e policisë pas një superoperacioni në afërsi të ish-farmacisë 10. Kush është shqiptari që ishte kthyer në tmerr të policisë italiane
Operacioni në qendër të Tiranës, bilanci: një agjent i plagosur dhe një i shumëkërkuar në pranga. Rrezikshmëria e Ilir Pajës është treguar edhe dje me policët shqiptarë teksa tentonin ta prangosnin atë për llogari të policisë italiane. Sipas burimeve nga policia, agjenti i policisë ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Po kështu, gjatë operacionit i plagosur ka mbetur dhe i kërkuari Ilir Paja. Burime policore pohuan dje për gazetën “Albania” se Paja kishte ditë që ndiqej, pas informacioneve që kishin mbërritur se ai fshihej në Tiranë.
Operacioni
Gjatë operacionit për kapjen e Pajës u plagos agjenti i Antikrimit, emrin e të cilit burime policore kanë gjykuar të mos e bëjnë publik. Sipas versionit zyrtar, agjenti i doli para makinës me targa të huaja, me të cilën udhëtonte i shumëkërkuari, duke bërë shenjë të ndalonte. 35- vjeçari Paja nuk iu bind kërkesës, por qëndrimi i tij hasi në këmbënguljen e agjentit të policisë, i cili i doli sërish përpara makinës. Në këtë moment, i shumëkërkuari, duke pikasur dhe agjentët e tjerë të policisë, i dha gaz makinës duke shtypur agjentin. Ndërsa i plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Nr. 1 të kryeqytetit, forcat e policisë kanë vazhduar operacionin, në përfundim të të cilit kanë mundur të ndalojnë 35- vjeçarin Paja. Gjatë operacionit për ndalimin e tij, i shumëkërkuari nga Drejtësia italiane, por dhe i skeduar nga ajo shqiptare, është plagosur me armë zjarri. Paja ndodhet tashmë në spital, në mbikëqyrjen e rreptë të forcave të policisë. Ndërkohë që agjenti i plagosur është vizituar në ambientet e spitalit edhe nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Sipas ministrit, është në gatishmëri një helikopter për transportimin e agjentit për ndihmë më të specializuar në spitalin e Janinës, në rast të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Te agjenti i plagosur ishin dje edhe kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
I shumëkërkuari
I shumëkërkuari nga Policia italiane, Ilir Paja, ishte arratisur në gusht të 2007-s nga Burgu i Sugherës në Livorno. Ai është arratisur në momentin që po transportohej drejt një instituti shëndetësor në provincën e Kazertës, pasi kishte shfaqur probleme me shëndetin. Në momentin e ndalimit të ambulancës për shërbim shqiptari sulmoi një nga agjentët e eskortës, duke mundur kështu të arratisej. Kjo ishte hera e dytë që Ilir Paja u arratis nga burgu. Paja akuzohet për shume vepra penale si vrasje, sekuestrim personi, përdhunim etj. Pas arratisjes së tij autoritetet e italiane përpiluan dosjen që mbante një sërë akuzash të rënda për shqiptarin dhe e dërguan në Shqipëri. Policia italiane e cilësonte me rrezikshmëri të lartë shqiptarin, pasi ai jo vetëm kishte arritur të arratisej nga burgu, por edhe t’u shpëtonte prangave falë identiteteve të rreme që mbante. Arrestimi i tij u bë i mundur vetëm dje nga forcat e njësisë se operacioneve speciale në Policinë e Tiranës.

7 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›