E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër artistë nga Prishtina, ekspozitë në Tiranë

Ekspozita Dy grafistë e dy piktorë paraqiten me 70 punime në Muzeun Historik Kombëtar

Katër artistë nga Prishtina, çelën dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë një ekspozitë të përbashkët. Grafistët Armend Fazliu dhe Migjen Limani dhe piktorët Armend Rushiti dhe Venhar Sadiku u paraqiten mbrëmë para publikut të kryeqytetit me një ekspozitë në pikturë dhe grafikë. Mes 70 punimesh në këto gjini artistët ekspozita e artistëve nga Prishtina do të qëndrojë e hapur në MHK për pak ditë. Ajo do të mbyllet më datë 28 qershor. Këta artistë nuk e kanë për herë të parë paraqitjen e përbashkët para publikut. Në Kosovë, ata janë prezantuar së bashku në ekspozita të ndryshme. Në vendin e tyre ata janë vlerësuar si artistë të rinj, por me një të ardhme mjaft të mirë përpara. Migjen Limani, në ciklin e tij më të ri të realizimeve grafike në teknikën e monotipist sjell një frymë të re krijuese. Simbolikë e veçantë te ky artist vërehet rrethi figurativ si metaforë e një kuptimi filozofik, i cili mund të merret si glob apo si diell që në fakt paraqet kuptimin e lindjes dhe virgjërisë. Armend Fazliu vjen me disa teknika në fushën e grafikës. Ai sjell peizazhin modern dhe kompozicione të cilat flasin me një gamë të pasur figurative. Në veprat e Venhar Sadikut paraqiten kryesisht njerëz të cilët vijnë në pikturën e tij me të përditshmen e tyre. Ndërkaq, pikturat e Armend Rushitit janë të realizuara në teknikën vaj në pëlhurë. Ato vijnë mjaft realiste duke sjellë me vete edhe simbolikën e mikpritjes shqiptare.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›