Vodafone Albania hap dyert për studentët talente
Kompania “Vodafone Albania” përzgjodhi 17 studentë mes 400 aplikantësh për programin risi “Discover Vodafone” (Zbulo Vodafone), duke u dhënë mundësi të përjetojnë një eksperiencë krejt të veçantë ndërsa u nënshtrohen një testi për t’u përzgjedhur si fitues. Haris Broumidis CEO i Vodafone Albania i uroi mirëseardhjen në kompani të gjithë kandidatëve dhe u këshilloi ta vlerësojnë këtë ditë si një eksperiencë të veçantë duke u sugjeruar që t’i mposhtin emocionet dhe të përpiqen të jenë vetvetja. Të 17 të përzgjedhurit gjatë fazës kualifikuese u testuan nga katër panele të ndryshëm prej ekzekutivësh të Vodafone në katër fusha të veçanta aftësish: “të menduarit e aplikuar”; “të qenët iniciator”, “të qenët i angazhuar”; ‘të mësuarit dhe rritja profesionale’. Secilit kandidat iu desh të provonte të bindë të katër panelet e specialistëve se ai/ajo kishte aftësitë dhe zotësitë për të qenë një profesionist me mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi. Filjori, një nga studentët me rezultate të larta e çmon si një privilegj dhe kënaqësi që të mund të bëhet pjesë e stafit të një kompanie kaq prestigjioze si Vodafone. Përveç testimit, të gjithë kandidatët u vendosën para një prove, një çështjeje biznesi të improvizuar ku atyre iu desh të arsyetojnë, argumentojnë, formulojnë opsione, marrin vendime, mbrojnë ide dhe zbulojnë rreziqe dhe mundësi për një çështje biznesi. Mbas kësaj, panelet e vlerësimit do të shqyrtojnë aftësitë e secilit kandidat dhe do të marrin vendimin për të përzgjedhur 5 ose më shumë fitues. Kandidatët fitues do të bëhen të ditur ditën e martë dhe do t’u ofrohet mundësia të punojnë fillimisht për një periudhë 1-vjeçare pranë Vodafone në projekte biznesi.
#