E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët, afat shtesë për ankesat pas datës 15 korrik

MASH parashikon proces të dytë ankimimi për nxënësit që nuk kërkuan fotokopjen e letërsisë brenda afatit të përcaktuar

Ka ende një “fije” shprese për ata maturantë që nuk kanë mundur të kërkojnë fotokopjen e testit brenda afatit të përcaktuar nga Ministria e Arsimit. Më datë 15 korrik, menjëherë pas publikimit të rezultateve të provimeve me zgjedhje, maturantët do të kenë mundësi ti drejtohen përsëri drejtorive të shkollave për të kërkuar fotokopjen e testit. Kjo do të thotë që do të ketë një tjetër proces ankimimi të përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në dispozicion të maturantëve. “Duke qenë se nuk i vijmë dot në ndihmë për momentin kërkesave të nxënësve, menduam të krijojmë një tjetër mundësi për ta. Kjo do të bëhet e mundur nëpërmjet shtyrjes së procesit të ankimimit. Nëse ka maturantë që nuk mundën të merrnin fotokopjen e testit, i bëj thirrje të mos shqetësohen sepse do të pajisen me to pasi të kenë përfunduar provimet me zgjedhje”, tha Drejtori i Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu. Sipas tij, kjo do të bëhet për shkak se Agjensia e Vlerësimit të Nxënësve është e mbyllur, duke qenë se brenda saj janë “ngujuar” specialistët që do të merren me hartimin e tezave me zgjedhje. “Pikë së pari po i kushtojmë rëndësi hartimit në mënyrë të kujdeshme të testeve me zgjedhje që do të përmbyllin fazën e provimeve për Maturën Shtetërore 2010. Ndërsa prioriteti i dytë është procesi i vlerësimit, i cili është i një rëndësie të madhe për të gjithë ne. Në kuadër të kësaj, menduam që procesi i ankimimeve mund të presë deri pas datës 15 korrik”, theksoi Vejsiu. Sipas tij, maturantët duhet të rrinë të qetë, pasi nuk do tu mohohet asnjë e drejtë që u takon me rregullore.

Provimet me zgjedhje

Hartimi i tezave të provimeve me zgjedhje do të realizohet në një formë tjetër. Specialistët që do të hartojnë provimet me zgjedhje, do të jenë të ndarë në tre grupe specifike. Kjo është një nga risitë më të fundit të parashikuara nga ministria e Arsimit. Grupi i parë i specialistëve, që do të hartojnë provimet me zgjedhje, është ngujuar në ambjentet e Agjensisë së Vlerësimit të Nxënësve ditën e mërkurë. I dyti pritet të fillojë punë më datë 25 qershor, ndërsa grupi i tretë do të nisë hartimin e tezave ditën e diel. Bazuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, hartuesit do të përgatisin 20 pyetje më shumë nga sa do të përfshihen në tezës e secilës lëndë. Ndërkohë që provimi i njërës lëndë me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, kundrejt 25 kërkesave që përmbanin testet e detyruara të Letërsisë dhe Matematikës. 10 prej pyetjeve do të jenë me përgjigje alternative, ndërsa 10 të tjerat do të jenë me zhvillim. Kërkesat me alternativa do të përmbajnë nga 1 pikë secila, mdërsa pyetjet me zhvillim do të ekuivalentohen me 30 pikë, çka nënkupton se testi në total do të përmbajë plot 40 pikë. Më 30 qershor, maturantët do të përmbyllin fazën e provimeve të MSH-së, duke shpresuar që do të arrijnë të ndjekin studimet e larta në degët e tyre të preferuara. Specialistët e AVA-s edhe për këtë provim të fundit do të ndjekin të njëjtat procedura si në testet e detyruara. Zhvillimi i provimit do të bëhet në orën 10.00 dhe do të përfundojë në 12.30, duke shënuar një kohëzgjatje prej 2 orësh e 30 minuta.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›