E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër dëshmi për debatin mbi fëmijët dhe familjen

SHËNIM I REDAKTORIT: Katër historitë e mëposhtme janë reagime për shkrimin e botuar në kontakt nga lexues Bledar Teliti, Tiranë, ku ai si prind ngrinte shqetësimet e tij për rritjen e fëmijëve dhe pamundësinë për t’u qëndruar atyre pranë, për aq kohë sa është e nevojshme. Katër historitë e mëposhtme, janë gjithashtu eksperienca personale, replikuese ose pajtuese me mendimet e z.Teliti.

1

Pa dashur të hidhem në mbrojtje, dhe si fillim duke e falënderuar z.Teliti për shkrimin e tij, më lejoni të shpreh diçka, si prind i ri që jam.

Jam mamaja e një vajze 2 vjeç e gjysëm. Së bashku me bashkëshortin punojmë, secili në profilin e tij. Punojmë nga ora 08:30 e mëngjesit deri në 17:30 e darkës. Kjo njëra punë, ndërsa tjetra na e merr kohën pothuajse deri në tetë të darkës (kjo me raste) . Vajzën e mban vjehrra derisa ne kthehemi në darkë dhe e marrim. Kjo ndodh gjatë gjithë javës, përjashtuar të shtunën (gjysëm dite) dhe të dielën që e kemi posaçërisht për vajzën.

Atëherë, më thoni ju, ku ta gjej kohën për të ndenjur në shtëpi? Normal që do më përgjigjeni, që të mos punoj kaq shumë... Ok, jam dakord me ju, por ne e dimë ku jetojmë e dimë dhe koston e jetesës në Tiranë, e dimë se sa e vështirë është të jetosh, të paguash qera, kredi për shtëpi (ndërtim që asnjëherë nuk mbaron në kohën e caktuar), të rrisësh fëmijët, të ndihmosh prindërit...

E thashë që në fillim, nuk dua të mbrohem apo të hidhem në sulm, por nuk është aq e thjeshtë që në ditët e sotme të qëndrojmë në shtëpi, paçka nevojës që fëmijët tanë kanë për ne, në çdo moment të ditës…

Duke ju falënderuar për kohën dhe durimin (Esmeralda R. Tiranë)

2

Unë kam zgjedhur të qëndroj në shtëpi si grua, burri shkon në punë. Kemi probleme financiare, por nuk ke ç’bën, edhe fëmija është i rëndësishëm dhe ndonjëherë më shumë rëndësi ka që ai të rritet me mungesa dhe njeri i mirë, sesa me bollëk dhe njeri i keq.

Në fazën kur fëmija është i vogël, ndihma dhe ngrohtësia e nënës gjenetike është mëse e domosdoshme; le ta reduktojnë paksa punën nënat e reja dhe le të shtojnë orët e pranisë së tyre me fëmijën e vogël. Babai i ri në këtë rast ka energji dhe detyrimin të bëjë dy punë e mbase edhe full-time të shtunën. Gjyshja “e punësuar” është gjë shumë e mirë në krahasim me pajtimin e një dadoje, por gjithsesi fëmija (aq më tepër vajza) do ta kërkojë mamanë duke u rritur.

Është një problem i madh ftohtësia ndaj prindërve që vjen me pas, me rritjen e fëmijëve. Ne mundohemi t’u krijojmë kushtet ideale, si dhomë me vete, TV, kompjuter etj., dhe në një çast, shohim se ata janë shumë egoistë dhe dëshirojnë të kenë indipendencën e tyre. Këtu edhe fillon më pas, kontradikta e madhe ndërmjet pavarësisë së tyre të idealizuar dhe varësisë ekonomike reale. Pasi nuk janë të aftë të fitojnë jetën, rikthehen tek prindi, si një ngrohtësi permanente (e përhershme), të cilën e kanë në çdo kohë për ta marrë aq lehtë.

Mendimi im është që çifti ri të krijojë dhe ta çlirojë afrimitetin dhe ngrohtësinë në çdo moment, fëmija e thith atë edhe në gjumë, edhe kur është sëmurë dhe ti i vendos kompresat në kokë, edhe kur i jep çajin në dimër e akulloren në verë. Ai e kupton nga tingulli i zërit atë që quhet prindërore. (antero@hotmail.it)

3

Jo vetëm prindërit por edhe shkolla duhet të marrë më shumë përgjegjësi për fëmijët. Në shkolla përveç programit mësimor të detyrueshëm për nxënësit janë dhe aktivitetet jashtëshkollore të organizuara gjithnjë me kontaktin e shkollave me institucionet jashtë shkollore, për rrethe të ndryshme si Atletikë, Lojërat me Dorë, Noti (përfituar nga pishinat e shumta në çdo lagje, deri grup shtëpiash), Gjimnastika Aerobike, Rrethet e Vizatimit, Kantos, Baletit e deri Alpinizmit etj. Nxënësit shqiptarë në to dikur janë dalluar jo vetëm për pjesëmarrjen, por dhe cilësinë. Nga to kanë dalë e dalin sportistë dhe artistë të vërtetë sa dhe nxënës pasionantë të shkencave si ato të Natyrës etj.

Muzetë e qytetit të vihen në dispozicion të nxënësve të shkollave dhe me programe të përbashkëta, shkollat apo institutet e shumta të punës me fëmijët, të plotësojnë edukimin e përgjithshëm të adoleshentëve duke ju zënë kohën e lirë, si jemi mësuar ne ta emërtojmë në “mënyrë të kulturuar”. Po vetë familjarët janë më të interesuarit për t’i aktivizuar fëmijët e tyre në një drejtim të caktuar. Ndër fëmijët emigrantë këtu ku unë jetoj, zor të gjesh ndonjë të paangazhuar në punë jashtë shkollore.

Moshat e rritura të shkollave të mesme thuajse në verë të gjithë angazhohen në punë sezonale, duke patur dhe ndihmën e komunitetit vendas që ju hap vende pune në përshtatje me moshën. Institucione kulturore kanë plane të veçanta me fëmijët e vegjël dhe adoleshentë në pushimet verore deri ekskursione brenda dhe jashtë Torontos me çmime të arsyeshme.

Duart në kokë nuk duhet t’i vëmë se kemi fëmijë inteligjentë dhe me trashëgimi familjare, ani se të tronditur nga koha në tranzicion që sapo i duket fundi. (Ish-mësues në emigrim)

4

Edukimi i fëmijëve është lënë pas dore në Shqipëri, kjo është e vërtetë. Një fjalë e urtë thotë, “Më mirë vonë se hiç”dhe tjetra, thënie e strategut mendjendritur: “Më jepni fëmijët t’i edukoj deri në moshën 7 vjeç (shikoni, 7 vjeç thotë) dhe të pushtoj botën”. (Kjo e dyta, duhet kuptuar jo në prizmin ushtarak, si e ka thënë strategu…).

Fjalë të mençura dhe dije për mirërritjen e fëmijëve kemi që nga lashtësia, po e keqja është se ata që duhet t’i bëjnë realitet këto për brezin e ri, janë shpërbërë dhe këto janë: Shteti dhe Familja. Radhita të parin shtetin, që në fakt duhet të jetë familja, si bërthama e shoqërisë, pasi shteti tek ne sot po bëhet “nismëtar” për degjenerimin e brezit të ri, me çka po afron në gjithë ecurinë e tij. Përditë themi ne të rriturit nuk kemi shtet, vaj halli fëmijët që akoma nuk e dine, ç’është shteti.

Po e ilustroj me një rast dy ditë më parë. Në uikendin e së dielës, një grup familjesh shqiptare si shumë të tjerë pa dallim, shkuam në plazh. Ishim pesë familje, me nga dy fëmijë secili, ku kaluam ditën vetëm e vetëm të kënaqnim fëmijët (nga dy deri në 13 vjeç). Dhe këtë e bëmë me vetëdije dhe me kujdesin më të madh. Është çështje dashurie për fëmijët. Nëse i do me gjithë shpirt, lë gjithçka dhe merresh me ta. Paraja nuk ka rëndësi më shumë se dashuria. Kush e mendon kështu, është i djegur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›